Jo për t’iu përgjigjur qëndrimit të një të ashtuquajturi kryetar bashkie, por për të qenë në anën e qytetarëve dhe për të ngritur zërin bashkë me ta, po e bëj të qartë se unë, më së pari si grua dhe si nënë, por edhe si deputete dhe pedagoge, shkova në shkollën “Ibrahim Basha” në Bashkinë Kamëz në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, sepse 900 nxënës nesër nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollën e tyre, por do të detyrohen të shkojnë në shkolla dhe 1 orë larg vendbanimit në turnin e dytë.
Unë jam deputete e Partisë së Lirisë e zgjedhur me votë dhe nuk i njoh kufijtë administrativë të korrupsionit tuaj kur është fjala për të qenë zëdhënëse dhe mbrojtëse e interesit qytetar.
Unë erdha e do të vij edhe në Kamëz, edhe në Bathore, edhe në Paskuqan, edhe në Valias e kudo, sa here të më thërrasin qytetarët se jam nënë dhe pedagoge, përveçse deputete.
Unë isha në Kamëz me kërkesën e prindërve të fëmijëve të asaj shkolle, sepse askush nuk i ka dëgjuar deri tani. Kanë bërë peticione, kanë kërkuar llogari dhe askush s’i ka dëgjuar.
Po bëj publik dhe peticionin, meqë nuk keni denjuar t’ua pranoni qytetarëve të bashkisë që drejtoni.
Një shkollë që nuk hap dyert në ditën e parë të vitit shkollor është barrë për një shkollë tjetër, për nxënësit e saj dhe prindërit e tyre.
Ju fajësoni kontraktorin që është tërhequr për shkak të çmimeve të rritura nga lufta në Ukrainë. Çuditërisht ky kontraktor nuk paska përfituar nga aktet normative të kaluara me urgjencë në mars 2022 që rimbursojnë kostot e shtuara të materialeve të ndërtimit që përdoren në projekte publike.
E shoh me vend t’ju kujtoj se lufta në Ukrainë ka nisur që në shkurt dhe efektet e saj në rritjen e çmimeve në mars. E kam të vështirë të besoj se, që nga marsi Bashkia Kamëz nuk ka mundur të gjejë një zgjidhje alternative.
Dhe e fundit, por më e rëndësishmja.
Ju thoni se pas 30 vitesh, Kamza ka gjetur rrugën e zhvillimit. Por ky i fundit nuk mund të vijë kurrë nëse qytetarët injorohen e nuk dëgjohen dhe ju duhet të mësoheni me llogaridhënien.
Ju ftoj nesër, në ora 8:00 te shkolla “Ibrahim Basha”. Unë do të jem aty me prindërit e vogëlushëve që meritojnë shkollën e tyre të re sa më parë, njësoj siç u është premtuar.
Prindërit do të protestojnë e do të kërkojnë llogari.
Jepuni përgjigje kërkesave të tyre, pasi e keni detyrim.
Sa për replikën tuaj fyese dhe të zbrazur nga argumentet, as nuk marr mundimin t’i përgjigjem.
Ju duhet të jepni llogari nesër, në ora 8.00, tek shkolla “Ibrahim Basha” para prindërve dhe fëmijëve.
Do t’ju dorëzoj dhe kërkesën time personale për informacionin, si qytetare dhe si deputete. Mbetem në pritje të përgjigjes me shkrim, siç funksionon shteti i së drejtës.
Dhe një paralajmërim për Policinë e Shtetit të qëndrojë larg qytetarëve që denoncojnë dhe protestojnë, sepse e kanë të drejtë kushtetuese.
Mos i jepni urdhra politikë policisë, pasi asgjë nuk mund t’ju shmangë nga llogaridhënia popullore dhe drejtësia.
As ju, as Rilindjen!