Ndërsa i gjithë debati politik është zhvendosur drejt PD dhe financimit rus në kohën kur drejtonte Lulzim Basha, shefi i Organizimit të Partisë Demokratike, Klevis Balliu, thotë se agjent i mirëfilltë rus në Shqipëri është kryeministri Rama.
Balliu: Influenca ruse është e lehtë për tu parë, Ballkani i Hapur, raporti i Ramës me Vuçiç, Kosovën. Shpopullimi i vendit ka qenë dhe mbetet një ide ruse që Rama po e ekzekuton në Shqipëri. Lidhjet e Ramës me Rusinë është një fakt i ditur në të gjitha kancelaritë. Agjent i mirëfilltë rus këtu është Edvin Kristaq Rama.
Akuzat për 500 mijë dollarët, thotë Balliu në Rtv Ora, lidhen me Lulzim Bashën dhe jo PD, pasi nuk ka kaluar asnjë qindarkë në llogarinë e partisë.
Balliu: Nuk ka akuzë për PD se nuk ka një lidhje të PD me Rusinë. Ju thoni lobime ruse në PD, jo janë lobime ruse në LB. S’ka lobime ruse në PD. Mund të ndahet duke lexuar raportin e SHBA, ku thotë se Basha ishte pjesë e përfituesve nga një investim rus që lidhej me investimet e parimeve të tyre politike. PD përmendet se Basha ishte kryetar i saj por nuk ka pasur PD një delegacion në Rusi, nuk ka një transfertë në llogarinë bankare të PD. Është Lulzim Basha, nuk ka lidhje PD. Transferta është bërë me Lulzim Bashën. Nëse ka ndodhur është tradhëti e niveleve më të larta kombëtare. Çdo investim i Rusisë politikisht në Shqipëri është një investim kundër Shqipërisë sepse Shqipëria për ta është problem për interesat kombëtare të Rusisë. Siç është Serbia problem për interesat tona kombëtare.
E megjithatë ky zhvillim i fundit duket se ka qartësuar shumëçka mes demokratëve.
Balliu: Mos harroni peng-Basha, ishte peng. Tani jemi të qartë se ishte peng i kësaj dosje. 11 agjenci të Inteligjencës Amerikane e deklarojnë këtë dosje. Tani del e qartë se Sali Berisha jo vetëm ka pasur informacion të detajuar dhe të saktë se çfarë ishte sulmi ndaj tij. Kishim një njeri të kapur dhe peng me këtë dosje. Kjo hedh poshtë non gratën dhe gjithë sulmin ndaj Berishës. Ky ishte shpresa Euroatlantike dhe na doli shpresa Sovjetike, dikush duhet të japë shpjegim për këtë.
I pyetur nga gazetarja Kostana Morava se sa mund ta dëmtojë kjo çështje PD para zgjedhjeve lokale ai ka këtë përgjigje.
Balliu: Më shumë dëmton PS ajo se ai (Basha) vendosi të kalojë andej. Dëmton Lulzim Bashën, Basha ka çështjet e veta. Nuk ka mbajtur ndonjëherë përgjegjësi për ato që ka bërë. Të shkojë të hetohet. As nuk them që është e vërtetë, as që nuk është. Kam zero interes.
Suksese në jetë u uroi edhe mbështetësve të Bashës.
Balliu: Patericat e Ramës qytetarët i kanë shumë të qartë. Ata që duan të jenë patericë, duan të jenë patericë, suksese, të vazhdojnë punën e vet. Nuk merremi asnjë sekondë me patericat dhe lojërat që na zhvendosin vëmendjen. Që të gjithë duhet të bashkohemi kundër kësaj qeverie dhe kjo fillon që me zgjedhjet lokale.
© SYRI.net