Lënda narkotike e sekuestruar në Vlorë është plot 1 ton e 240 kilogramë.
Policia e Vlorës publikon pamjet e ngarkesës së bllokuar ende pa zbardhur e premtja dhe jep detaje nga operacionit.
Më konkretisht gjatë patrullimit në vijën bregdetare të Vlorës, në plazhin midis Petroliferës dhe Triportit, Policia Kufitare ka bërë të mundur konstatimin dhe bllokimin e një kamioni të markës Iveco me targë AH 117 AB, brenda të cilit u gjet një sasi e konsiderueshme me lëndë narkotike kanabis sativa.
Nga kontrolli i ushtruar në zonën përreth, Policia Kufitare ka gjetur të braktisura, një fuoristradë Toyota me targë CA 4816 BY, një makinë Land Rover me targë AA 889 FI, një karelë për transportimin e mjeteve lundruese, si dhe sende të tjera të cilat do dërgohen për ekzaminime laboratorike.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, pas kontrollit të ushtruar brenda në kamion, kanë gjetur një sasi me lëndë narkotike e cila pas peshimit ka rezultuar me peshë totale prej 1240 kilogramë.
Lënda narkotike ishte e ndarë dhe paketuar në 116 paketime, mbështjellë me natriban, qese dhe thasë plastikë, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Policia Kufitare në bashkëpunim me Policinë Vendore vazhdojnë hetimet për zbulimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Aktualisht vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.