Përgjithësisht, një person nënpeshë konsiderohet ai/ajo që ka një indeks të masës trupore (BMI) nën 18.5. Nëse BMI është mbi 25, personi konsiderohet mbipeshë dhe mbi 30, bëhet fjalë për obezitet. Gjithsesi duhet të keni parasysh që BMI merr në konsideratë vetëm peshën dhe gjatësinë, nuk merr parasysh masën e muskujve.
Si të merrni peshë në mënyrë të shëndetshme
Nëse doni të keni disa kilogramë më shumë, nuk do të thotë që të abuzoni me pijet freskuese apo ëmbëlsirat, pasi kjo nuk është e shëndetshme. Nuk janë të pakta rastet kur njerëzit me peshë normale, ose pak nënpeshë, kalojnë në diabet të tipit 2 ose përjetojnë sëmundje kardiovaskulare dhe probleme të tjera shëndetësore, thjesht nga abuzimi me ushqimin në përpjekje për t’u shëndoshur.
– Hani më shumë proteina: Muskuli është i përbërë nga proteina dhe pa ato, shumica e kalorive shtesë përfundojnë si yndyrë e trupit (dhjam). Ushqime të pasura me proteina janë mishi, peshku, vezët, produkte të qumështit, arrat etj.
– Hani të paktën 3 vakte të bollshme dhe hani midis vakteve: Sigurohuni të hani të paktën tre vakte në ditë dhe mundohuni që të konsumoni diçka si fruta të thata midis vakteve.
– Hani ushqime me salca dhe erëza: Një ndër gjërat më problematike të njerëzve nënpeshë është se nuk kanë oreks për ushqim dhe zakonisht e kanë të vështirë ta përfundojnë vaktin. Kështu shtoni salca dhe erëza për t’i dhënë shije. Sa më i shijshëm ushqimi, aq më shumë kalori.
– Ushqime që do t’ju japin energjin: arra, bajame, kikirikë, rrush i thahtë, hurma, qumësht, kos, djathë, tërshërë, patate të ëmbla, mish pule, gjalpë kikiriku, çokollatë e zezë.
– Ushtrohuni me pesha: Në vend që kaloritë t’ju shkojnë si masa dhjamore, ushtrohuni me pesha në mënyrë që të depozitohen te muskujt. Shkoni në palestër 2-3 herë në javë dhe ngrini pesha. Niseni me pesha të lehta dhe rritini gradualisht. Nëse nuk shkoni dot në palestër, stërvituni në shtëpi.