Veliaj nderon me Medaljen e Mirënjohjes kampionin e botës në mundje, Zelimkhan Abakarov! Së shpejti ceremoni pritjeje edhe në Kryeministri

0
61
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Zelimkhan Abakarov i dhuroi Shqipërisë medaljen e parë të artë në mundje, duke u shpallur para pak ditësh Kampion i Botës në këtë disiplinë. Nga sot, Abakarov i natyralizuar shqiptar, u nderua me medaljen e mirënjohjes nga qyteti i Tiranës, në një ceremoni të organizuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili tha se ndihet krenar për rezultatin e arritur në Beograd.

“Said dhe Zelim jam shumë krenar për ju! Për të gjithë ata që thonë ‘nga është ky’ apo ‘nga është ai’, dua t’u kujtoj ndjesitë që kemi pasur ne si shoqëri, kur një peshëngritës apo një atlet i yni, garonte për flamurin grek. Jetojmë në një botë globale, ku deri dje Shqipëria ishte vendi që braktisej, sot është vendi ku ka histori suksesi, si vendi i ri jo vetëm i dy mundësve tanë, jo vetëm i Matvei Petrov, kampionit tonë të gjimnastikës, apo i sportistes italiane që na është bashkuar me ekipin e skive, apo Brikenit dhe Luizës, të cilët nuk janë dorëzuar, kanë luftuar, dhe sot me kushte më të mira, dalin kampionë”, tha Veliaj.

Mandej, ai shtoi se kampionët si Abakarov, Matvei Petrov, Brikeni apo Luiza, duhen mbështetur dhe jo paragjykuar.

“Kjo është për të shpjeguar ata (ndonjëherë janë të njëjtët) që shajnë ata që ikin, por edhe ata që vijnë. Duhet të shqetësohen më shumë për jetën e tyre, sesa për suksesin e atyre që sot valëvisin flamurin shqiptar dhe na bëjnë shumë krenarë. Ndonjëherë, njerëzit e papunë, japin mend për punët e të tjerëve, ndërkohë që njerëzit e talentuar janë shumë të zënë duke ngritur lart flamurin, në mos të vendit të tyre natyral, të vendit që kanë adoptuar me zgjedhje. Sot ka njerëz që zgjedhin të jenë pjesë e një skuadre që quhet ‘Team Albania’”, sqaroi Veliaj.

Mundësi Abakarov e mori shtetësinë shqiptare disa javë më parë, në prani të kryebashkiakut Veliaj, në një ceremoni betimi të organizuar nga Bashkia e Tiranës. Ndërkaq, Veliaj i përcolli mundësit falenderimet e kryeministrit Rama, i cili ndodhet për një vizitë në Nju Jork.

“Kryeministri ju çon shumë të fala. Ai ndodhet në Nju Jork, duke përfaqësuar Shqipërinë në një tapet tjetër, në atë të Kombeve të Bashkuara, dhe sapo të kthehet prej atij angazhimi, do të organizojmë një ceremoni në Kryeministri”, nënvizoi Veliaj.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Selim Prizreni falenderoi në veçanti kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për mbështetjen që ky i fundit i ka dhënë sportit.

“Dua të falenderoj Zelimin që na bëri krenarë të gjithë shqiptarëve. Sigurisht, një falënderim i madh për kryetarin sepse është ndër të vetmit që e ka mbështetur sportin, është ndër të vetmit që po bën diçka për sportin dhe unë shpresoj që kjo të vazhdojë, sepse kemi një synim: përveç medaljes në kampionatin botëror, synojmë medaljen në Olimpiadën e Parisit 2024. Ky është një premtim që e kemi marrë bashkë me Zelimin dhe shpresoj ta realizojmë”, tha Prizreni.

Zjarr Tv Ad