Kursi i këmbimit, Euro pëson tjetër rënie historike, dollari prek nivelin më të lartë që nga viti 2017

0
22
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kursi i këmbimit të euros me lekun ra sërish të hënën dhe preku një rekord të ri historik. Sipas kursit zyrtar të bankës së Shqipërisë, euro u këmbye sot me 116.32 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Zhvlerësimi i ri i euros këtë muaj, menjëherë pas sezonit veror, ka qenë surprizë edhe për agjentët e tregut. Ky zhvlerësim nisi papritur më datë 15 shtator dhe sipas ekspertëve u ndikua nga njëra prej bankave të mëdha të sistemit, që, me sa duket, ka kryer operacione të mëdha në blerje të euros.

Fillimisht, ky zhvillim u perceptua si i përkohshëm dhe besohej se kursi i euros mund të korrektohej sërish pranë niveleve të mëparshme, sipas 117 lekëve. Por, në fakt, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, madje sot euro preku një minimum të ri.

Madje, kursi i euros nuk është rritur as nga blerjet e radhës të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, që, sipas burimeve nga tregu, realizoi blerje të konsiderueshme valute për import energjie në gjysmën e dytë të javës së kaluar.

Agjentët e kanë të vështirë ta shpjegojnë një tendencë të tillë pas përfundimit të sezonit veror, por fakti që euro ngelet prej afërsisht dy javësh në këto vlera dëshmon se tashmë ky kurs reflekton në thelb faktorët fondamentalë të kërkesës dhe ofertës në treg.

Të paktën deri në fund të 6-mujorit, bilanci i pagesave të vendit deri tani po shënon ecurinë më të mirë që prej vitit 2018. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, për 6-mujorin 2022 deficiti i llogarisë korrente kishte vlerën e 469 milionë eurove, në rënie me 9.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ekspertët hipotizojnë se ndoshta ky dobësim i euros mund të ndikohet pjesërisht edhe nga raportet e monedhës europiane me dollarin, në tregjet ndërkombëtare dhe rrjedhimisht edhe në tregun shqiptar. Dollari shënoi të hënën vlerën prej 120.12 lekësh.

Kjo është vlera më e lartë që monedha amerikane shënon në kursin kundrejt lekut që prej majit të vitit 2017. Dollari amerikan po forcohet gjithnjë e më shumë në tregjet ndërkombëtare dhe sidomos kursi i tij kundrejt euros reflektohet edhe në kursin me lekun.

Agjentët besojnë se ndoshta forcimi i dollarit mund të ketë nxitur një rritje të kërkesës për monedhën amerikane dhe të ketë ulur atë për euro në tregun e brendshëm. Në teori, fakti që dollari po perceptohet si monedhë më e fortë mund të ndikojë në shitje të euros dhe blerje të monedhës amerikane.

Zhvillimet e javëve të fundit po krijojnë më shumë pritshmëri rreth agjentëve të tregut se ndoshta kursi i këmbimit euro-lek ka zbritur në një normalitet të ri dhe nuk përjashtohet një rënie e mëtejshme e monedhës europiane. Nga ana tjetër, pritshmëritë për kursin e dollarit janë në kahun e kundërt dhe me shumë të ngjarë pritet një rritje e mëtejshme e monedhës amerikane ndaj lekut, si reflektim i zhvillimeve në kursin dollar-euro.

Rënia e euros për momentin duket e volitshme për ekonominë shqiptare, në kushtet e inflacionit të lartë, duke zbutur presionet për rritjen e çmimeve nga tregjet e importit, pot ë kemi parasysh se Eurozona është partneri kryesor tregtar i vendit.

Përfitime kanë edhe huamarrësit në euro me të ardhura në lekë, ndërsa të dëmtuar nga dobësimi i euros janë kryesisht subjektet eksportuese.

Por, ndërkohë, forcimi i dollarit ka një impakt të rëndësishëm në çmimet e karburantit dhe të lëndëve të para./MONITOR

Zjarr Tv Ad