Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho flet për një situatë alarmante në universitetet e vendit për shkak të largimit të të rinjve që ka bërë që gjithnjë e më pak studentë të ulen në auditore.
Në një deklaratë për mediat, Xhixho i është referuar shifrave të publikuara nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, që sipas saj “nxjerrin ne pah fakte tronditese per arsimin universitar”.
Sipas deputetes së PL-së, arsimi është lënë pas dore për vite të tëra dhe se “kjo qeveri nuk po e sheh zhvillimin te arsimi, por te krimi”.
Deklarata e plote e deputetes Erisa Xhixhos
Te nderuar qytetare,
Ajo që po ndodh në universitetet e vendit është alarmante.
Gjithnjë e më pak studentë ulen në auditore, sepse çdo ditë këtij vendi i ikin të rinj.
Shifrat e publikuara nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore nxjerin ne pah fakte tronditese per arsimin universitar
- Në prag të vitit të ri akademik, kemi 50 mijë studentë më pak se 8 vite më parë.
Ndërkohë në 5 vjeçarin e fundit vihet re një rënie e numrit të studentëve me rreth 8 mijë studentë pak të regjistruar. - Degët e shpallura prioritare nga qeveria nuk po zgjojnë asnjë interes. Pavarësisht incentivave, ka degë që rrezikojnë të mbyllen.
- Interesi për disa degë e bën akoma më të zymtë parashikimin për të ardhmen. Studentë që regjistrohen në degë si anglishtja dhe gjermanishtja janë të rinj që planifikojnë të ikin sapo të mbyllin studimet.
- Në universitetet e rretheve, gjendja është akoma më trishtuese. Në asnjë prej tyre nuk është plotësuar të paktën gjysma e kuotave.
Universiteti “Eqerem Çabej” i Gjirokastrës, i ndjekur nga Universiteti “Fan S. Noli” në Korçë dhe “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, shënojnë numrin më të ulët të regjistrimeve në raundin e parë të aplikimeve.
Një pjesë e programeve mësimore në këto universitete ende nuk plotësojnë një numër minimal prej 5 studentësh të regjistruar për degë.
1- Universiteti i Gjirokastrës
Universiteti i Gjirokastrës ka plotësuar vetëm 32% të kuotave.
Degët e mësuesisë kanë një numër të papërfillshëm regjistrimesh, ku kryeson Gjuha dhe Letërsia Shqipe me vetëm 1 regjistrim, e ndjekur nga Histori-Gjeografia me 2 regjistrime dhe Biologji-Kimia me 3 regjistrime.
Në këtë universitet, dega më e preferuar rezulton të jetë Infermieria e Përgjithshme .
2- Universiteti i Korcës
Universiteti “Fan S. Noli” në Korçë ka plotësuar deri tani vetëm 37% të kuotave. Degët me më pak kërkesa janë ato të mësuesisë, me vetëm me 3-6 regjistrime .Më keq është matematikë-fizika që nuk ka asnjë regjistrim.
3-Universiteti i Elbasanit
Në raundin e parë janë regjistruar 924 studentë nga 2386 kuota në total. Degët më problematike figurojnë ato të mësuesisë, me 1-5 studentë për degë.
4-Universiteti i Shkodrës
Në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër janë plotësuar rreth 45% e kuotave.
Arsimi është lënë pas dore për vite të tëra.
Pseudoreformat e qeverisë “Rama” e kanë çuar në një rrugë pa krye.
Tregu kaotik i punës, pa qëndrueshmëri dhe pa politika orientimi për të rinjtë, nuk zgjon interesin e studenteve. Mundësitë e pakta të punësimit, pagat e ulëta dhe mosfinancimi i kërkimit shkencor nuk kënaqin ambicien e më të mirëve, të cilët Europa po na i merr përditë.
Kjo qeveri nuk po e sheh zhvillimin te arsimi, por te krimi.
Arsimi duhet të kthehet në prioritet kombëtar.
Është e vetmja mënyrë për të luftuar sot boshatisjen e shkollave dhe universiteteve , kemi nevoje per vendimarrje te forta dhe te pergjegjshme sot pasi neser do te jete vone!