Një 37-vjeçar me iniciale S.R. është arrestuar nga policia e Tiranës pasi gjatë kontrollit në banesën e tij policia ka gjetur dhjetëra steka me cigare të kontrabanduara.
Në njoftimin e policisë thuhet se materialet në lidhje me këtë çështje i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
“Goditet nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar të DVP Tiranë, një rast i tregtimit të mallrave të dyshuara të kontrabanduara. Sekuestrohen steka me cigare, të dyshuara të kontrabanduara.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, kanë goditur një tjetër rast të kontrabandës së mallrave, për të cilin kanë arrestuar në flagrancë shtetasin:
– S. R., 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në dyqanin në pronësi të shtetasit S. R. dhe gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, dhjetëra steka me paketa cigaresh, të dyshuara të kontrabanduara.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”, thuhet në njoftimin e policisë.