Arrestohen në flagrancë administratori dhe menaxherja e një subjekti call center në Shkodër, gjatë operacionit të koduar “North Forex 4”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik.
Policia tha se ka shpallur në kërkim edhe tre bashkëpunëtorët e tyre, teksa ka proceduar penalisht 7 shtetas të tjerë, të punësuar si operatorë në këtë subjekt.
|Si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit:
- P., 28 vjeç, banues në Vau i Dejës, administrator i subjektit, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” kryer në bashkëpunimin dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”;
- P., 36 vjeçe, shtetase rumune, banuese në Shkodër, menaxhere e subjektit, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasve: E. S., 34 vjeç, banues në Shkodër, D. Sh., shtetas izraelit, banues në Tiranë dhe L. Gj., 25 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë specialist teknologjie pranë subjektit call center.
Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, për shtetasit: E. Sh., 25 vjeçe, K. G., 31 vjeç, O. J., 24 vjeç, E. Rr., 46 vjeç, M. Ç., 36 vjeçe, E. M., 31 vjeçe dhe A. K., 33 vjeç, të gjithë banues në Shkodër.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në subjektin call center, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 17 pajisje kompjuterike të përshtatura për mashtrim nëpërmjet platformave të ndryshme.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 2 shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me 3 shtetasit e shpallur në kërkim, kishin punësuar disa operatorë, të cilët telefononin shtetas të ndryshëm dhe i mashtronin ata që të kryenin investime në bursa fiktive”, ben me dije policia ne njoftimin e saj.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në këtë subjekt janë sekuestruar edhe 2 aparate celulare që dyshohet se përdoreshin për lotari të palejuara. Në vijim të veprimeve nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. U., 25 vjeç dhe S. R., 34 vjeç, të dy banues në Shkodër, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.