Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi dhe 14 deputetë të opozitës depozituan në Kuvendin e Shqipërisë nismën ligjore për pastërtinë e figurës së funksionarit dhe zyrtarit publik.
Bylykbashi tha se PD i rikthehet edhe një herë lustracionit, si e vetmja nismë që pastron politikën nga bashkëpunëtorët e sigurimit.
Ai theksoi në një intervistë në “ABC News” se kjo është hera e tretë që PD sjell lustracionin në parlament. Sipas tij nisma e qeverisë është sjellë vetëm për të larguar vëmendjen nga “skandalet dhe grabitja që po u bëhet shqiptarëve.”
“E para të gjitha janë të deklasifikuara, kush bën procedurë deklasifikimi shkel ligjin. Pretendimi, të gjithë të shohin të gjithë, është përpjekje për krijimin e amullisë në këtë mes. Ne jo për hapje dosjesh që jemi, por jemi për lustracionin. Ky që sjellim sot është mbi themelet e atij ligji të 2008, por me disa ndryshime.”
Ndër të tjera Bylykbashi nënvizoi se nisma e PD-së nuk ka për qëllim të “godasë” vetëm ata që janë aktualisht aktorë politikë apo duan të emërohen në poste publike.
“Dosjet hapen për këdo, kushdo sheh dosjen e vet. Ama lustracioni është kush konkurron për një pozicion publik shtetëror, ata që janë në detyrë humbasin funksionon. Ata që pretendojnë të zgjidhen apo emërohen ata ndalohen”, tha Bylykbashi.