Ish-Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo ka analizuar zgjedhjet në Itali dhe humbjen e të majtës përballë Giorgia Melonit. I ftuar në emisionin “Open”, Milo u shpreh se e majta u fut në zgjedhje e ndarë dhe për këtë përfitoi Meloni.
Por Milo shton se nuk është optimist për qeverinë e re pasi sipas tij, Italia është vështirë të dalë nga kursi i saj tradicional i krizave që çojnë në zëvendësime të shpeshta.
“Ka disa arsye se pse humbi e majta. Bashkohemi në një arsye kryesore, është parti e konsumuar. Siç është spektri politik italian i vjetër. PD është një nga partitë që është konsumuar ndër vite. arsyeja e dytë është se e majta, në kuptimin social demokrat vajti në zgjedhje e përçarë, ky është faktor i rëndësishëm që reduktoi numrin e votave. U nda vota e majtë. Ndaj përfitoi Meloni. Ka pasur zhgënjim të madh të përgjithshëm që çoi në lëvizjen e votës jo vetëm nga e majta, drejt Melonit, por nga e djathta italiane tradicionale drejt Melonit. kanë lëvizur të dy polet nga zhgënjimi që kanë pasur nga partitë tradicionale. Këto janë tre arsyet se pse kemi një grua që do të bëhet kryeministre e Italisë.
Jam jo shumë optimist për mbarëvajtjen e qeverisë që do të krijohet. Italia është vështirë të dalë nga kursi i saj tradicional i krizave që çojnë në zëvendësime të shpeshta. Italianët si popull për nga natyra janë kërkues ndaj ekzekutimeve. Nuk i kënaq kollaj italianët. Nuk e di se sa do të arrijë Meloni të përballojë një kërkesë, apo handikap të politikës italiane, që është jetik për qytetarët tradicionalë, që nuk mund të lodhen dhe të paguajnë për një emigracion klandestin që vjen e përplaset në brigjet italiane.
Meloni iu ka thënë votuesve italianë që do përpiqet ta ndalojë. Por kjo është një përpjekje me shumë vlerë që i dha asaj kredibilitet. Unë e kam të vështirë të besoj që Itali mund të gjejë një kryeministër seç ka qenë Mario Dragi. Si ekspert dhe emër, që i duhej Italisë dhe pak kohë që ta nxirrte nga ajo krizë ekonomike.”, tha Milo.