Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka vlerësuar presidentin rus Vladimir Putin si një person të mençur, duke përshëndetur vendimin e kreut të Kremlinit për të mos përjashtuar diplomatët amerikanë që shërbejnë në misione diplomatike në Moskë. Ky vlerësim vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes vendeve janë të tensionuara për shkak të pretendimeve se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane për të nxjerrë fitues Donald Trump. Këto prentendime janë mohuar vazhdimisht si nga Moska, ashtu edhe nga republikani që do të marrë detyrën e re më 20 janar.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka vlerësuar presidentin rus Vladimir Putin për vendimin e tij për mos përjashtimin e diplomatëve amerikanë, përtej një lëvizjeje të njëjtë të ndërmarrë nga Uashingtoni, në kundërpërgjigje të ndërhyrjeve të pretenduara të Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane. Zoti Trump përmes Twitter-it përgëzoi homologun rus: “Lëvizje e shkëlqyer nga Vladimir Putin – gjithnjë e kam ditur se ai është shumë i mençur!”
Moska vazhdimisht ka mohuar përfshirjen në hakerime të lidhura me zgjedhjet. Por në një nga lëvizjet e fundit të presidencës Obama, Uashingtoni urdhëroi që 35 diplomatë rusë të largoheshin nga vendi deri të dielën në mesditë. Sakaq, presidenti Putin përjashtoi mundësinë e një kundërpërgjigjeje të njëjtë. Rusia pretendohet të ketë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane, duke publikuar informacione përmes Wikileaks dhe të tjera portaleve, për të dëmtuar Hillary Clinton dhe fushatën e saj dhe për të ndihmuar zotin Trump të shpallej fitues. Republikani i ka konsideruar këto pretendime si qesharake, por disa agjensi amerikane, përfshirë FBI dhe CIA, mendojnë se Rusia në fakt është e përfshirë në këtë çështje.
Pasi Uashingtoi bëri me dije përjashtimin e diplomatëve, zëdhënësi rus Dmitry Peskov premtoi se Rusia do t’i kundërpërgjigjej këtij manifestimi të paparashikuar dhe agresiv të politikës së jashtme. Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov propozoi përjashtimin e 35 diplomatëve amerikanë nga Moska, por presidenti Putin u shpreh se vendi i tij nuk do të ndiqte kursin e “diplomacisë së papërgjegjshme”. Në një deklaratë në faqen zyrtare të Kremlinit, kreu i shtetit madje i uroi Vitin e Ri presidentit Barack Obama dhe familjes së tij, zotit Trump dhe gjithë popullit amerikan.///