Maqedonia e Veriut kërkon energji elektrike nga Bullgaria

0
30
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Maqedonia e Veriut ka kërkuar nga Bullgaria ndihmë në përballje me krizën energjetike, respektivisht t’i shesë energji elektrike, pa shkelur rregullat e Bashkimit Evropian.

Kjo u bë ditur nga presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, pas takimit që ai zhvilloi në Sofje më 1 tetor me homologun e tij bullgar, Rumen Radev, dhe me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Bullgaria ka tepricë të energjisë elektrike, por kur një shtet anëtar i BE-së ka teprica të rrymës, duhet t’i shesë në tregun botëror.

“Kur teprica e energjisë elektrike shkon në tregun botëror, çmimet janë shumë më të larta sesa mund të marrësh përmes një marrëveshjeje dypalëshe. Nga ana bullgare ekziston një vullnet i qartë politik për të ndihmuar Republikën e Maqedonisë së Veriut në këtë situatë të vështirë”, tha presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski.

Çmimet në bursat ndryshojnë, por gjatë kësaj periudhe një megavat shitet për 400 euro, kurse Maqedonia e Veriut kërkon rrymë nga Bullgaria me çmim prej 200 eurosh për megavat.

Pendarovski tha se Bullgaria ka kërkuar nga Komisioni Evropian një mekanizëm për të shmangur shkeljen e direktivave evropiane për të bërë një transaksion dypalësh ndërmjet një shteti anëtar të BE-së dhe një vendi që ende nuk është anëtar.

“Janë disa mekanizma, njëri prej të cilëve është aplikuar, sidomos gjatë krizës së COVID-19, për të kërkuar nga ato që njihen si fondet e kompensimit të BE-së për të kompensuar shtetin i cili, eventualisht, do të duhej të blinte energji me çmime botërore. BE-ja ka fonde solidariteti përmes të cilave ndihmohen vendet që nuk janë ende anëtare”, tha Pendarovski duke njoftuar edhe për një retorikë më të matur nga Sofja, me të cilën Shkupi ka konteste të pazgjidhura për çështje historike si dhe për gjuhën dhe identitetin maqedonas.

I pyetur se sa kohë do të zgjasë kjo procedurë, Pendarovski tha se ka marrë përgjigje nga von der Leyen se “nëse ndiqen procedurat dhe nëse aplikimi është në rregull, mund të përfundojë për disa javë”.

Edhe kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se shpreson në një marrëveshje me Bullgarinë për të blerë energji elektrike për përballje me krizës energjetike. Ndërkaq, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, tha se synohet që çmimi të mos kalojë më shumë se 200 euro për megavat.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 28 shtator ka miratuar masa të reja për mbrojtje nga kriza energjetike dhe një prej tyre parasheh subvencione për rrymë për 650.000 familje, të cilat gjatë dimrit nuk do të paguajnë fatura më të larta se ato në tre muajt e fundit./REL

Zjarr Tv Ad