Zgjedhjet e ardhshme lokale dhe vota e emigrantëve ishte fokusi i takimit që sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri mbajti me strukturat e PS-së në Selanik.
Gjiknuri kërkoi nga emigrantët të ndërgjegjësoheshin për peshën që ka vota e tyre duke u kërkuar të organizohen për të shprehur vullnetin e tyre në vendoret e 2023-shit.
“Është një takim i nevojshëm disi i vonuar, por aktiviteti politik këto vite u zbeh për shkak të pandemisë. PS luftoi shumë për ta lehtësuar votën tuaj, që të mos merrni autobusin për të votuar, por të votoni nga këtu nga jeni. Kjo do t’ju bëjë faktor të rëndësishëm në këto zgjedhje. Ju përcaktoni fatin e zgjedhjeve”, tha Gjknuri
I pranishëm ishte edhe sekretari organizativ I PS-së, Blendi Klosi, i cili foli për përpjekjet e Partisë socialiste për të mundësuar votën e emigrantëve.
“Vota e emigrantëve në Greqi ka qenë gjithmonë e fortë. Nga sondazhet gjejmë një votë masive, por marrëdhënia jonë s’mund të jetë vetëm ditën e votimit. Me ndryshimin në ligj që u bë me vullnetin e PS, emigrantët mund të votojnë nga aty ku jetojnë”, u shpreh Klosi.
Gjiknuri e Klosi kërkuan nga strukturat në Selanik më shumë organizim për zgjedhjet lokale të 2023-shit, duke theksuar se vota e tyre është përcaktuese për shumë bashki.