Vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiraj janë arrestuar nga Prokuroria e Durrësit për akuzën e vrasjes së mbetur në tentative ndaj Aleksandër Lahos, i njohur si ‘Rrumi’.
Të njëjtët kanë pretenduar se për llogari të Kasandër Nogës kishin marrë përsipër të kryenin vrasjen e Geron Hasanbelliut. Por nuk kanë arritur që ta kryejnë dhe për të vrarë Hasanbelliun ka shkuar një grup tjetër që ka vrarë gabimisht kamerierin Erion (Adriatik) Çela dhe plagosën 4 të tjerë.
Hetimi nisi pas pengmarrjes së vëllezërve nga ana e Agron Bejdollit i cili është lidhja më e fortë e Rrumit, ndërkohë që është në kërkim nga policia deri në këto momente.
Rrumi dyshonte se dy vëllezërit po e spiunonin dhe e kishin vënë në shënjestër për ta vrarë, ndaj edhe ka organizuar pengmarrjen e tyre.
Dy vëllezër të identifikuar si Gentian dhe Indrit Beqiraj, me precedentë të mëparshëm penalë, kanë qenë duke udhëtuar me një motor kur një automjet i ka goditur nga pas. Pas këtij momenti, katër persona kanë dalë nga mjeti dhe kanë dhunuar vëllezërit, çka do të thotë se gjithçka ka qenë e organizuar.
Pas konfliktit fizik midis tyre, njëri prej vëllezërve, Indrit Beqiraj, është futur me forcë në automjetin me të cilën erdhën katër të dyshuarit. Ai është dhunuar edhe brenda mjetit dhe pas rreth 500 metrash është lënë i lirë. Pas këtij momenti, njëri nga vëllezërit i është drejtuar Policisë së Durrësit, ku ka bërë denoncim për ngjarjen.
Pas ngjarjes së rëndë, Policia shpalli në kërkim një nga autorët e dyshuar të ngjarjes. Mësohet se është shpallur në kërkim shtetasi Agron Bejdolli, një nga personat e përfshirë në ngjarjes. Ka qenë Policia e Durrësit ajo që e ka shpallur në kërkim Bejdollin, i cili rezulton të ketë lidhje të ngushta me Aleksandër Lahon i njohur ndryshe si Pëllumb Muharremi ose Rrumi, një nga personat e përfshirë në ngjarje kriminale në zonën e Shijakut.