Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë propozimin për një draft të përbashkët të demokratëve sa i takon propozimeve për Reformën Territoriale.
Ai u shpreh në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PD se kanë hartuar një draft, më të mirin për këtë çështje por shtoi se do të ishte mirë të arrihet një dokument i përbashkët i dakordësuar nga të gjithë deputetët e opozitës, përfshirë këtu edhe partitë aleate.
“Ne me seriozitetin më të madh të punës së parlamentarëve. Është bërë një punë shumë e mirë për reformën territorial për të kaluar nga pseudoreforma që bëri PS dhe për t’u rikthyer pushtetin vendor qytetarëve shqiptarë. Në këtë reformë janë mbajtur parasysh ndryshimet e thella demografike dhe sociale që ka pësuar vendi gjatë këtyre viteve.
Sot një grup deputetësh të kësaj partie në mënyrë të pavarur kanë dorëzuar një draft me 94 bashki. Unë mendoj se ky draft i dorëzuar dhe ky që është përgatitur këtu që është më i thelluar në çdo aspekt le të ulemi dhe të arrijmë një draft të PD që të përfaqësojë interesat e qytetarëve shqiptarë.
Nuk ka asgjë. Ulja së bashku me ta në komisione dhe jashtë komisioneve dhe gjetja e një ujdie për një projekt që ta mbështesin të gjithë deputetët e opozitës duhet të diskutohet edhe me partitë aleate, PL dhe të gjithë partitë opozitare në mënyrë që të krijojmë një mbështetje të të gjithë opozitës.
Natyrisht ne kurrë nuk bëhemi pjesë e një loje të qeverisë dhe pazareve me të. Ne e kemi publik projektin që shpreh interesat më të mira. Nuk besoj se Edi Rama është serioz në çështjen e reformës. Ai gënjen dhe mendoj se është në detyrimin tonë të përgatisim një projekt më të mirin që ne gjykojmë”, deklaroi Berisha.