Basha: Shkollat po mbahen mbyllur prej të ftohtit dhe mungesës së kushteve, jo gripit

0
887
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryedemokrati Lulzim Basha reagon lidhur me shtyrjen e nisjes së mësimit deri më 16 janar, për shkak të gripit dhe të ftohtit.

Kreu i Partisë Demokratike thotë se shkollat po mbahen të mbyllura dhe nxënësit larg bankave, për shkak të të ftohtit, dhe jo të gripit. Sipas tij, gripi është pretekst për të shmangur tragjedinë që mund të shkaktohet nga mungesa e kushteve minimale.

Basha shton se, shkollat ku shkojnë pjesa më e madhe e fëmijëve, janë pa ngrohje, pa xhama, janë akull të ftohta dhe prandaj edhe temperaturat e këtyre ditëve janë rrezik i vërtetë për fëmijët.

“Edi Rama ka harxhuar 400 milionë euro për projektin megalloman dhe abuziv të fasadave dhe shesheve. Ndërkohë i ka lënë shkollat e vendit në gjendje të mjeruar. Për shkollat Edi Rama ka deklaruar se nuk ka para, ndaj ka vendosur që t’ia u japë edhe ato me koncesion klinetëve të tij”, shkruan ai, në një postim në Facebook.

Në këtë linjë shton se gripi që qeveria po përdor si pretekst për mbylljen e shkollave, sipas tij, është shenja më e qartë e falimentimit të sistemit të shëndetësisë.

Kreu i opozitës thotë se mbi 300 milionë euro koncesione ka dhënë Edi Rama në shëndetësi, para që po shkojnë për klientët e tij pa i sjellë asnjë përfitim njerëzve, asnjë përfitim të sëmurëve.

Ndërkohë që qeveria nuk ka fonde për të vaksinuar grupet e njerëzve që rrezikohen më shumë nga gripi, siç thotë kreu i opozitës, tashmë është e qartë se reformat e bujshme rilindase kanë qenë propaganda për të verbuar njerëzit, faqe grabitjes së pasurive dhe fondeve publike me të cilat po pasurohet Edi Rama dhe klientët e tij.

“Çdo ditë që Edi Rama qëndron në pushtet është një ditë e keqe për ne dhe të ardhmen tonë. Le ta ndalim së bashku këtë të keqe. Le ta vëmë qeverinë në shërbim të njerëzve”, shkruan në mbyllje Lulzim Basha.

Zjarr Tv Ad