Teksa lufta në Ukrainë po vijon që prej 24 shkurtit të këtiv viti, Rusia po vijon me kërcënimet e njëpasnjëshme për një luftë të mundshme bërthamore.
Këtë herë ka qenë zëvendës-presidenti i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitri Medvedev, i cili ka kërcënuar me një luftë botërore në rast se raketat MLRS do të dorëzohen në Ukrainë.
Siç raportohet nga mediat e huaja, Medvedev e përshkroi dorëzimin e këtyre raketave si mënyrën më të shpejtë për të përshkallëzuar “konfliktin” me Ukrainën.
“Mënyra më e shpejtë për të përshkallëzuar konfliktin me Ukrainën në nivelin e pasojave të një lufte botërore është t’i jepet Kievit sistemi MLRS,” shkroi Medvedev në llogarinë e tij në Telegram.
Në të njëjtin postim, Dmitry Medvedev këshilloi aleancën dhe qeverinë amerikane që të mendojnë logjikisht dhe të marrin parasysh rreziqet ekzistuese.
Në të njëjtën kohë, ai argumentoi se raportet e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg se çdo fitore ruse do të nënkuptonte humbjen e aleancës, janë një konfirmim i pjesëmarrjes së aleancës së Atlantikut të Veriut në “konflikt”.
“Deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s se një fitore ruse do të nënkuptojë humbjen e aleancës së Atlantikut të Veriut është një konfirmim i drejtpërdrejtë i pjesëmarrjes së aleancës në luftën kundër vendit tonë”, ka shkruar Medvedev.