Ish-deputeti opozitar, Artur Roshi, i cili u dënua nga Apeli i GJKKO me 8 mln lekë gjobë për shpifje ka reaguar, duke thënë se ky vendi është i ndikuar politikisht. Sipas tij, gjoba u vendos pas uljes së tij në tryezë me ish-kryeministrin Sali Berisha, pak ditë më parë, i cili mblodhi kryetarët e partive jo parlamentare.
Ai paralajmëroi se vendimin do ta anikmojë, ndërsa theksoi se “është e ulët që të merret SPAK me këto lloj gjërash, për një konflikt të vogël personal”.
“Nuk ka të bëjë me postin e deputetit që kam patur. Unë do ta ankimoj vendimin. Mundohet të godasë këto gjëra sekondare që nuk kanë asnjë vlerë ndërkohë që nuk godet korrupsionin. Është e ulët që të merret SPAK me këto lloj gjërash, për një konflikt të vogël personal, madje për një fjalë.
Por ndikon edhe ulja në tavolinë me Berishën. Ne jemi mësuar me këto gjëra dhe nuk na bëjnë përshtypje.
Dikush në prononcimin në Sarandë më bëri një filmim, ku thoshte ndërton pa leje kur unë ndërtoja me leje. Mbi këtë unë sqarova opinionin publik me një status në facebook, ku sqaroja situatën, pa përmendur asnjërin. Gjykata e gjeti si mundësi të godasë duke përdorur rrjete sociale. Po ajo nuk ka asnjë vlerë, ne bëjmë statuse përditë ku postojmë për të sqaruar opinionin publik. Këtu jemi në Shqipëri dhe kush ka radhën e pushtetit, drejton edhe gjykatat.
Vendimi është nxjerrë në bazë të uljes time në tavolinë me Berishën. Unë prita një orë atje dhe vendimin e morën në moment ndërkohë nuk e morëm vesh pse po vonohej aq shumë. Do të thotë se vendimi po bëhej në ato momente. Unë jam mësuar me këto, nuk më bëjnë përshtypje goditjet e politikës”-tha Roshi në një reagim për Fax News.