Sekretari Organizativ i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari ka kritikuar fjalimin e mbajtur nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kundër raportit të Dick Marty-t.
Sipas Braimllarit, Rama kërkon që të shfaqet si mbrojtësi i çështjes shqiptare në Këshillin e Europës, ndërkohë që ka harruar të merret me problemet e qytetarëve që po varfërohen çdo ditë e më shumë.
Në një postim në Facebook, Braimllari thotë se Rama nuk ndjek dot as modelin e qeverisë së Albin Kurti për trajtimin e qytetarëve.
Postimi i Endrit Braimllarit:
Rama, lideri “global” që nuk ndjek dot modelin e Kosoves
Për dy ditë me radhë, kryeministri Edi Rama po mundohet të na shfaqet si mbrojtësi i çështjes shqiptare, duke na sjelle si një trofe fjalimin e mbajtur në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës.
“lideri global” ka harruar të merret me problemet e qytetareve që po varfërohen çdo ditë e më shumë nga rritja e çmimeve të mallrave të konsumit dhe naftës.
Ai nuk po dëgjon as kërkesat e drejta të pedagogëve që duan një trajtim dinjitoz nga shteti i tyre.
Në vend që të sulmojë pafund dhe te përbuzë shqiptarët e të dyjave shteteve, duhet te ndjekë të paktën modelin e qeverisë “Kurti” për mënyrën e trajtimit të pedagogëve.
Apo te japë ndihmë për shtresat në nevojë siç bëri së fundmi qeveria e Kosovës duke akorduar 100 euro për pensionistët e studentët dhe 50 euro shtesë në muaj për punonjësit e sektorit publik për përballizimin e krizës ekonomike botërore.