Teuta Murataj nga Gjirokastra në vitin 2009 u diagnostikua me kancerin e gjirit. Mungesa e medikamenteve ia vështirësoi edhe më shumë sfidën me sëmundjen.
“Në kohën kur kalova kancerin e gjirit dhe bëra 6 seanca kimioterapie dhe bëra 2 muaj rreze në Onkologjikun e Tiranës ishte periudha e vitit 2009 ku aty doli një grup mjekësh që i vodhën ilaçet dhe unë i merrja në Athinë mi sillnin njerëzit nga Athina. I merrja në qese dhe vija i injektoja ato helme në trupin tim në Onkologjik,” – u shpreh ajo.
Për 64-vjeçaren, jeta nuk është treguar e drejtë.
“Në vitin 2017 mu përsërit sërish kanceri, por tani në mitër dhe bëra papë një operacion, bëra prapë kimioterapi, rreze. Dhe është për të ardhur keq që një nën, një grua shqiptare Lufton me një sëmundje kaq të rëndë, që është kaq e përhapur të paguhet me 100 euro në muaj. Më thoni ju znj. Ministre e Financave, më thoni ju kryeministër i Shqipërisë Edi Rama çfarë të bëj unë tani të mjekohem, të ushqehem, të vishem, të mbaj familjen, çfarë të bëj,” – apeloi Murataj.
Kostot për kurimin e sëmundjeve kanë qenë rreth 18 mijë euro, ndaj ajo është detyruar të marrë dy herë kredi.
Sëmundjet me të cilat është përballur Teuta nuk ia kanë vrarë shpresën, ama besimin tek qeveria po./EURONEWS ALBANIA