Analisti Fatos Lubonja u shpreh se të dyja palët(PS dhe opozita) janë futur thuajse zyrtarisht në fushatë elektorale me takimet dhe akuzat e njëpasnjëshme.
Lubonja thekson për News 24 se problemi kryesor për opozitën mbetet bashkimi i dy pjesëve të Partisë Demokratike.
Për Lubonjën hyrja në bisedimet për bashkim pa kushte, është e pakuptimtë, pasi sipas tij secila palë mund të propozojë e të mbështesë propozimet e veta.
“Në njëfarë kuptimi ne jemi në fushatë elektorale permanente gjatë gjithë kohës. Edhe opozita denoncime pa fund janë fushatë elektorale. Besoj se këto nuk duhen parë si të ndara, domethën që ktej kemi një front e ktej një front tjetër dhe janë plotësisht të ndarë. Akti i parë është fushata e Ramës, i dyti është veprimtaria e opozitës. Akti i dytë ndikohet edhe nga akti i parë, domethënë Rama ndikon te opozita. Rama do të qeverisë më rehatë, sepse i ka përçarë kta dhe vet flet për hidrocentralet. Protestat duken një ide, pasi janë të pazgjidhura shumë probleme. Problemi i parë është bashkimi. Nuk mund të ketë bashkim pa kushte. Një kusht mund të jetë tërheqja nga apeli. Një kusht tjetër mund të jenë edhe primaret, dmth jo primare pasi me primare i merr Berisha të gjitha, por hajde të propozojmë”, u shpreh Lubonja.
Nga ana tjetër Zheji u shpreh se të dyja palët brenda PD-së janë në fillimet e veta drejt bashkimit.
Zheji tha se hrupi i Berishës duhet të tregohet më i drejtë në raport me aleatët, pasi sipas tij, ai po kërkon që të gjithë kandidatët për zgjedhjet locale t’i vendosë vetë.
Ai shtoi se situate është e paparashikueshme, pasi nëntori mund të vendosë që gjykata t’ja japë logon e PD-së Alibeajt, çka do të sillte zhvillime të reja politike në vend.
Për Zhejin protestat e opozitës duhet të kishin nisur, pasi ato e unifikojnë opozitën.
“Nëse ulet në negociatë, secili ulet në kushte të barabarta. Unë mendoj që të dy palët brenda PD-së janë në fillimet e veta për bashkimin. Berisha ka filluar primaret dhe pastaj si aleati tjetër që është Partia e Metës do të ngelet me kandidatët që i jep ti? Në nëntor mund të ndodhë një gjë që Gjykata ja jep logon Alibeajt. Duhet të krijojë një logo Berisha që të hyjë në zgjedhje. Vetë Berisha ka thënë se opozita pa protesta rrezikohet shumë. Shtatori dhe tetori ikën dhe protesta nuk ka. Dikush e pengon. Në luftë e sipër krijohet më kollaj ngjizja e palëve. Paloka njihet për natyrë radikale nuk e di nëse është i përshtatshëm për negociata”, tha Zheji.