Nuk do të kem frikë asnjëherë nga fjalët e sinqerta, të drejtpërdrejta, madje edhe nga kritikat shumë të forta, jam një person që e kam bërë në të kaluarën, nuk kam kursyer askënd dhe nuk kam respektuar kurrë kundërshtarët e mi dhe nuk pres që opozita sot ta bëjë me mua. E vetmja gjë që kërkoj është të gjykohem për atë që them, mendoj dhe bëj realisht.”
Kështu është shprehur mbrëmjen e kësaj të marte kryeministrja e re e Italisë, Giorgia Meloni, teksa Dhoma e Deputetëve miratoi mocionin e besimit për qeverinë e kryesuar nga e para grua në krye të Italisë, me 235 vota pro, 154 kundër dhe 5 abstenime.
Kryeministrja do të paraqitet nesër në Senat në orën 13.00 për të marrë miratimin përfundimtar nga Parlamenti për kabinetin qeveritar.
Teksa e djathta rikthehet në pushtet mes kritikave, Meloni bëhet kështu e para kryeministre femër e Italisë. Matteo Salvini, do të jetë numri dy i kabinetit si dhe ministër për Infrastrukturën, ndërsa Guido Crosetto do të jetë Ministër i Mbrojtjes.
Matteo Piantedosi do të jetë ministër i Brendshëm, Schillaci, ministër i Shëndetësisë, Daniela Santanche është emëruar ministre e Turizmit, Anna Maria Bernini, ministre për Universitetin, Andrea Abodi, ministër i Sportit dhe Rinisë, Giancarlo Giorgetti do të jetë ministër i Ekonomisë.
Giorgia Meloni është 45 vjeçe dhe partia e saj Fratelli d’Italia ishte fituesi më i madh i votave në zgjedhjet kombëtare të muajit të kaluar. Aleatët përfshijnë partinë e djathtë Lega të Matteo Salvinit dhe partinë konservatore Forza Italia, e kryesuar nga ish-kryeministri Silvio Berlusconi.