Në kërkim për trafikun e 137 kg kokainë, arrestohet në Vorë, biznesmeni, Gentian Malindi

0
58
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Policia ka arrestuar Gentian Malindin, i cili ka qenë në kërkim për një sasi prej 137 kg kokainë të kapur në vitin 2019 në Portin e Durrësit.

Burimet, bëjnë me dije se ai është ndaluar në afërsi të Vorës, ku lëvizte i vetëm me një automjet.

Pak kohë më parë, Gjykata e Posaçme pezulloi çështjen ndaj tij, për shkak se ishte në arrati.

Kokaina u pikas nga policia greke, të cilat bënë zëvendësimin e saj me oriz, në Portin e Pireut. Më pas, u mbajtën nën vëzhgim lëvizjet e konteinerit deri në Durrës, për të zbuluar rrjetin e trafikut të kokainës.

Njoftimi i policisë:

Vorë, Tiranë

Vijon operacioni policor i koduar “Kuito”, për goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike.   

Vihet në pranga 46-vjeçari i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, i cili qarkullonte me dokumente identifikimi të falsifikuara. 

46-vjeçari, me masë sigurie “Arrest në burg”, pasi dyshohet si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se do të trafikonte drejt Shqipërisë, 137 kg lëndë narkotike kokainë, në vitin 2019.     

Sekuestrohen shuma parash, 3 aparate celulare dhe dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara, që ky shtetas i mbante me vete, si dhe automjeti i tij.     

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe të Krimit Ekonomik, të DVP Tiranë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar dhe në inteligjencën informative për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, kanë organizuar punën për kapjen e tij.   

Në afërsi të Urës së Gjolës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe arrestuar shtetasin G. M., 46 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 1050 euro, 11 500 lekë të rinj, 3 aparate celulare dhe dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin me të cilin qarkullonte 46-vjeçari.  

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin G. M., për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, pasi qarkullonte me dokumente identifikimi kosovare, të falsifikuara. 

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Kuito”.  

Operacioni ndërkombëtar i koduar “Kuito” u finalizua në shtator 2019, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese greke, në koordinim me zyrën e DEA-s në Athinë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.  

Shtetasi G. M. dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit A. B., 53 vjeç dhe A. M., 35 vjeç, të dy banues në Durrës (të arrestuar në shtator 2019), do të priste në Durrës, 137 kg lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestrua gjatë operacionit.   

Zjarr Tv Ad