Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i është ndaluar vizita dyditore në Serbi nga Policia e këtij shteti “për shkaqe sigurie” pak para se të arrinte në Beograd.
Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Bislimit, Klisman Kadiu. Pas kësaj, ai është kthyer drejt Kosovës.
Bislimi ishte nisur drejt Beogradit më 27 tetor për të marrë pjesë në dy tryeza diskutimi për çështjet e dialogut Kosovë-Serbi
Bislimi, që njëherësh është udhëheqës i bisedimeve me Serbinë në nivel të kryenegociatorëve, ishte paraparë të merrte pjesë në diskutimet me temën “Kosova dhe perspektiva evropiane e rajonit”, në kuadër të Forumit për Marrëdhënie Etnike, që mbahet më 27 shtator.
Ai po ashtu pritej që të premten të merrte pjesë në Konferencën e Sigurisë së Beogradit dhe do të jetë pjesë e panelit me temën “Kosova dhe Serbia – shmangia e rrugës pa dalje”.
Edhe më herët, Bislimi kishte vizituar Serbinë. Në shtator, së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishin vizituar komunat në jug të Serbisë, të banuara me shumicë shqiptare.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011. Faktori ndërkombëtar po bën përpjekje që të inkurajojë palët që ta përmbyllin këtë proces. Por, dy shtetet kanë qëndrime të ndryshme sa i përket fundit të procesit. Kosova kërkon që në një marrëveshje përfundimtare të përfshihet edhe njohja reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./REL