Kreu i shtetit Bajram Begaj ka pritur në takim presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen e cila ndodhet për një vizitë në Shqipëri.
Gjatë takimit Begaj ka vlerësuar nivelin e marrëdhënieve të Shqipërisë dhe Bashkimit Europian dhe ecuria e procesit të integrimit të vendit tonë në union.
“Niveli i ri i marrëdhënieve të Shqipërisë me BE-në pas çeljes së negociatave dhe vendosmëria e vendit tim për të përshpejtuar ritmet e integrimit evropian, e bëjnë vizitën tuaj në Tiranë të veçantë dhe të rëndësishme”- është shprehur Begaj.
Nga ana e saj zonja Ursula von der Leyen, vlerësoi rolin e Shqipërisë si një faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon.
Kryetari i Shtetit shqiptar e siguroi Presidenten e Komisionit Evropian se Shqipëria është e vendosur për të vijuar me agjendën evropiane dhe se objektivi i saj për integrimin në BE është i pandryshueshëm.Begaj nënvizoi domosdoshmërinë e ruajtjes së vëmendjes së BE-së dhe vendeve anëtare ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar vendimin më të fundit të marrë nga Presidenti i Këshillit Evropian për zhvillimin së afërmi në Tiranë, të takimit të nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor.