Punonjësit e call centerave në Shqipëri paralajmërojnë protestë, pasi thonë se ditët e festave nuk ju paguhen sipas ligjit. Ata do të mblidhen nesër, më datë 28 tetor, në një protestë para kompanisë “Parr sh.p.k”, në Bulevardin “Gjergj Fishta”.
“Në këtë kompani Call Center Operatorëve nuk iu paguhen ditët festive, të cilat nuk paguhen sipas ligjit shqiptar”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e shpërndarë për mediat nga kryetari i Sindikatës, Ilir Xhemalaj.
Operatorët e call centerave janë të dytët që protestojnë pas pedagogëve, të cilët kërkojnë rritje të pagave. Ndërkohë, javën e dytë të nëntorit, më datë 12 nëntor ish-kryeministri Sali Berisha ka thirrur një protestë kombëtare në Tiranë.
“Sindikata e Operatorëve Telefonikë do të zhvillojë ditën e Premte datë 28/10/2022, një protestë në kompaninë Parr sh.p.k. (Bulevardi Gjergj Fishta Pallati Bjorn Tiranë AL, 1010. Në këtë kompani Call Center Operatorëve nuk iu paguhen ditët festive, të cilat nuk paguhen sipas ligjit shqiptar”, njofton Sindikata e Operatorëve Telefonikë SKOT.