Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me vendosjen e fashës së energjisë elektrike për abonentët që konsumojnë mbi 800kWh.
Në një deklaratë nga selia blu, anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Lisandër Hoxha ka deklaruar se ERE në shkelje të plotë të ligjeve është kthyer nga një institucion të pavarur në një vegël të qeverisë së Edi Ramës.
Ai shton se procedura për rritjen e çmimit të energjisë elektrike është e paligjshme dhe e pa konsultuar me grupet e interesit, ndërsa nënvizon se edhe sikur të ishte ndjekur procedura e sipërpërmendur, rrethanat nuk e justifikojnë rritjen e saj.
Deklarata
Siç është njoftuar nga Qeveria Rama, çmimi i energjisë elektrike do të ndryshojë nga data 1 Nëntor.
Enti Rregullator i Energjisë, në shkelje të plotë të ligjeve të vendit është kthyer nga një institucion i pavarur, në një vegël të qeverisë Rama dhe mafies së energjisë elektrike.
Procedura për rritjen e çmimit të energjisë elektrike është e paligjshme dhe e pa konsultuar me grupet e interesit. Edhe sikur të ishte ndjekur procedura me përpikmëri, rrethanat nuk e justifikojnë rritjen e saj.
Nga të dhënat e siguruara nga Partia Demokratike, në 8 mujorin e këtij viti është prodhuar nga tregu i rregulluar dhe KESH rreth 3.79 TË/h.
Nga ana tjetër, OSHEE, për këtë 8 mujor, ka shitur për tregun e rregulluar rreth 3.01 TË/H (për abonentin familjar, privat, buxhetorin dhe jobuxhetorin). Kjo do të thotë se kemi prodhuar më shumë energji nga sa ka qenë nevoja e konsumatorëve.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk është një kërkesë që vjen nga mungesa e prodhimit dhe kriza e çmimeve si pasojë e luftës në Ukrainë, por buron drejtpërsëdrejti nga keq menaxhimi dhe vjedhja sistematike që i bëhet këtij sektori.
Vjedhjet me blerjen e energjisë janë ndër arsyet kryesore që e detyrojnë qeverinë të faturojë qytetarët për të mbuluar abuzimet. Në këtë 8 mujor është blerë në tregun e liberalizuar rreth 1 TË energji me vlerë 416 milion euro. Nëse do ishte blerë me tarifën mesatare të çmimeve sipas bursës Hupex, kostoja e këtij Terravati do të ishte rreth 281 milion euro, pra 135 milion euro më pak nga sa ka harxhuar qeveria. Këto fatura të kripura, të cilat burojnë nga vjedhjet, kanë krijuar një defiçit të jashtëzakonshëm në sektorin e energjisë dhe buxhet, duke na detyruar të paguajmë më shumë se çdo popull tjetër në Europë.
Sikur të mos mjaftonte kjo, detyrohemi të dëgjojmë një mal me hipokrizi, gënjeshtra dhe këshilla nga keqbërësit tanë se si të kursejmë energji dhe të pranojmë në heshtje rritjen e saj. Qeveria që arrestoi rreth 30 mijë kryefamiljarë për detyrime ndaj OSHEE, pas 9 vite në pushtet deklaron si humbje në rrjet 1.04TË, ose 34% të prodhimit. Kjo shifër nuk përputhet me sukseset e propaganduara apo me tarifat që u mbahen abonentëve shqiptarë në fature për kryerjen e investimeve.
Partia Demokratike ju fton të refuzoni këshillat cinike dhe hipokrite të qeverisë, të cilat ngjajnë me ato të një hajduti që sapo të ka vjedhur paratë nga xhepi dhe të këshillon se si ta shtysh muajin duke kursyer.
Fasha prej 800kë është një veprim kriminal dhe barrë e rëndë për shumë familje shqiptare!
Sipas ekspertëve tanë do të preken nga çmimi i ri prej 44 leke/kë pa TVSH së paku 161 mijë abonentë familjarë. Kjo barrë është e papërballueshme për shqiptarët, të cilët do të detyrohen të paguajnë fatura të shtrenjta të përafërta me vlerën e rrogës mesatare. Praktikisht një rrogë për familje do t’i dedikohet vetëm për të paguar faturën e energjisë. Për biznesin e vogël dhe abonentin familjar, rritja e çmimit të energjisë do të thotë falimentim.
Kjo qeveri e ka ndarë mendjen t’ju varfërojë deri në skamje! Ajo nuk do të ndalë abuzimet deri sa ne ta ndalim atë!
Me Edi Ramën ekonomia e familjeve tona është në rrezik! Partia Demokratike ju fton me 12 nëntor të përballemi për Shqipërinë! Të gjithë bashkë në shesh për të ndalur falimentimin e ekonomisë tonë!