Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, komentoi dështimin e negociatave për bashkimin e PD dhe vendimin e grupit të Enkelejd Alibeaj për të dalë me kandidatë më vete në zgjedhjet vendore të 2023.
Zhupa u shpreh gjatë një interviste në “Syri” tv se baza e PD-së në masën 95% është e bashkuar, duke shtuar se edhe opozita është e bashkuar.
“Ajo që po ndodhte këto ditë, ishin bisedime me disa deputetë të PD me përaqësues kryesor Alibeaj dhe Bardhi, që kanë qëndrime të ndryshme për zhvillimet brenda PD-së, për zgjedhjen e kryetarit dhe të tjera.
Ideja e këtyre bisedimeve nuk ishte për t’i kërkuar këtij grupi si do bënim strukturat e PD-së dhe si do organizohej PD-ja, por të garantonin kushte të barabarta dhe çdo kërkesë që mund të kishin për t’u garantuar vota e demokratëve dhe për të zgjedhur kandidatin më të mirë përballë kandidatëve që do vijnë nga PS-ja.
Ajo që po kërkonim ishte mekanizmi që garantonte botën. Po kërkonim mekanizma për të shkuar me kandidatin më të gjithëpranuar. Nuk e paskam kuptuar se çfarë ishim duke negociuar.”, tha Zhupa.