Emisioni Fiks Fare zbulon një tjetër skandal në fushën e sigurisë ushqimore.
Në vazhdën e shumë investigimeve që Fiksi ka bërë mbi sigurinë ushqimore, një tjetër aktivitet i paligjshëm u denoncua nga ky emision. Aktiviteti i paligjshëm përpunonte në kushte skandaloze mish pule dhe e shiste në fast food-e në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Fiksi solli pamje të ambientit të cilat ishin një garazh makinash i përshtatur si ambient punishteje, në të cilin punonin 6 punëtorë.
Kofshët e pulës të pashoqëruara nga asnjë dokument shoqërues, se ku merreshin dhe ku çoheshin, mbaheshin në vaska të mëdha pa asnjë kusht higjeno-sanitar.
Emisioni investigativ sinjalizoi për këtë skandal Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, i cili kërkoi ndihmën e autoriteteve të tjera, si Krimi ekonomik dhe Policia e Shtetit, pasi ky aktivitet nuk kishte asnjë dokumentacion dhe në këto kushte përbënte vepër penale.
Falë denoncimit të Fiksit, të gjitha institucionet që inspektuan aktivitetin bënë në fund bllokimin e tij. U sekustruan 450kg mish pule jashtë çdo kushti higjenosanitar, si dhe u vu në pranga pronari i këtij aktiviteti të jashtëligjshëm.
Në emër të Bashkim Hajdinit, që ishte pronari i punishtes ekzistonte vetëm një nipt për një automjet sipas të cilit e përdorte për shpërndarjen e produkteve për fast-food-e.
Duke qenë i ligjëruar Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mund të ushtronte kontroll mbi të, të cilin e bllokuan për mungesë kushtesh.
Ndërkohë krimi ekonomik vendosi mbylljen e aktivitetit të përpunimit.
Policia bëri arrestimin në flagrancë të pronarit të aktivitetit mbi të cilin rëndojnë tre vepra penale “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Duke qenë se ky produkt i pasigurt shkonte nëpërmjet fast food-eve te konsumatori, Shefi i Departamantetit të Riskut dhe Komunikimit pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Tomi Kola, tha për emisionin Fiks Fare se janë inspektuar edhe 3 fast food-e në tre zona të ndryshme të kryeqytetit, subjekte të cilat i tregoi pronari i punishtes.
Kola tha se në njërin prej fast food-eve u gjet sasi e këtij malli dhe u sekuestrua menjëherë, ndërkohë u morën masa për subjektin.Në dy subjektet e tjera, në njërin u sekuestrua gjiroja dhe u dërgua për analizim dhe në tjetrin nuk u gjetën produkte.
Por jo vetëm aq, duke u nisur nga ky rast sipas z.Tomi do shtohen kontrollet e rastësishme në gjithë kryeqytetin./Top Channel