Amnistia, Prokurori Giu rikthehet në burg. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve: Ja arsyeja pse

0
979
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Vetëm pak orë ka zgjatur liria i ish-prokurorit Haxhi Giut, pasi prokuroria i ka kërkuar rikthim në qelitë e burgut. Mësohet se Drejtoria e Burgut në Peqin i ka kërkuar Giut, i cili akuzohej për korrupsion, që të rikthehej në burg, pavarësisht faktit se ai përfitoi nga amnistia, mes shumë të dënuarve të tjerë.

Vetë ish-prokurori pohoi se e kishin telefonuar nga burgu, ku i kërkonin që ai të shkonte sërish atje. “Më telefonuan nga burgu, më kërkojnë të kthehem”, tha Giu.

Nga ana e tij Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Miklovan Kopani deklaroi se ish-prokurori i Krujës, Haxhi Giu, i cili ishte mes të dënuarve që përfituan sot lirinë nga Amnistia, është rikthyer në ambientet civile të burgut.

Në një lidhje telefonike, Kopani theksoi se Giu është rikthyer në burg për verifikim, ndërsa shtoi se ai do të jetë përfitues sipas ligjit. Ai shtoi se për shkak të amullisë së krijuar në media për rastin ‘Giu’ Drejtoria e Burgjeve do të rishikojë rastin dhe dosjen e tij, duke shtuar se ish-prokurori nuk do të privohet nga e drejta e amnistisë.

“Është rikthyer në ambientet e civile të burgut, dhe jo në burg. Duke bërë kështu kalkulimin e ditëve të burgut. Ne me korrektësi për zbatimin e ligjit kërkuam një hetim për vendimin e gjykatës. Zotëria nuk mund të privohet nga e drejta e tij por për shkak se jemi në limite, ne pas shqyrtimit, me mirëkuptimin e Giut, do bëjmë vendime të mëtejshme”, tha Kopani.

Ish-Prokurorit të Krujës, Haxhi Giu i kishin mbetur edhe 9 muaj e 17 ditë burg ka përfituar sot nga amnistia duke lënë qelinë e burgut të Peqinint që në mëngjes. Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi prokurorin për akuzën e korrupsionit pasiv me 2 vite e 4 muaj burg, pasi përfitoi nga gjykimi i shkurtuar.

Akuza e korrupsionit pasiv lidhet me rastin e shtetasit Paulin Shporin nga Shkodra, të cilit Giu në këmbim të një shume të majme parash, plot 29 mijë euro, tentoi t’i zbusë akuzën nga “trafik narkotikësh”, në “moskallëzim krimi”.

Ish-prokurori Haxhi Giu u arrestua më 2 dhjetor 2015, rreth orës 15:13, teksa udhëtonte në makinën e tij nga efektivët e Policisë së Tiranës “Shqiponja”. Në cilësinë e provës materiale policia i sekuestroi ish-prokurorit shumën prej 28 mijë e 800 eurosh; gjithashtu si prova u sekuestruan DVD me pamje filmike të marra nga ambiente të ndryshme (lokale, exchange), ku janë zhvilluar takimet dhe shkëmbimi i parave ndërmjet shtetasve Haxhi Giu dhe Aleks Shpori. Ditën e sotme 130 persona kanë lënë qelinë e burgut të Peqinit, duke përfituar nga amnistia.

Zjarr Tv Ad