Gjyqi me Veliajn, reagon avokati i Lulzim Bashës: Çështja sot ishte për landfillin, kryebashkiaku ka pretenduar se akuzat i ka opinione nga mediat

0
56
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Avokati i Lulzim Bashës ka reaguar pas lajmit se Gjykata e Tiranës ka pushuar padinë e ish-kryedemokratit që akuzonte për shpifje kryebashkiakun Erion Veliaj.

Ky i fundit kishte akuzuar Bashën se kishte përfituar katër vila pas tërmetit të 26 nëntorit. Por avokati i Bashës Indrit Sefa thotë se lajmi është i pavërtetë, pasi çështja e seancës së sotme ishte për inceneratorin e Tiranës.

E megjithatë, ai thotë se sa i përket akuzave të Veliajt, kryebashkiaku i Tiranës është “justifikuar” duke thënë se i ka opinione të marra nga mediat.

Reagimi i plotë:

Me keqardhje dëgjoj dhe lexoj sajesat e trasha në lidhje me “fitoret” e Erion Veliajt. E vërteta është krejtësisht ndryshe.

E para: çështja e pretenduar nga media nuk ka asnjë lidhje me seancën e sotme gjyqësore, ku objekti ishte landfilli i Sharrës. Pra mashtrohet për vetë objektin e padisë, çka është lehtësisht e verifikueshme.

E dyta: Në të gjitha seancat gjyqësore Veliaj është mbrojur duke pretenduar se nuk ka asnjë provë në lidhje me akuzat e ngritura prej tij dhe duke u justifikuar se ato janë vetëm opinione të marra nga mediat dhe që i ka përdorur për retorikë politike.

E treta: GJKKO ka vendosur një praktikë gjyqësore duke mos i cilësuar si vepra penale akuzat dhe shpifjet midis personave publikë dhe politikanëve duke i cilësuar ato si retorikë politike. Kjo praktikë është e paprecedent për çdo vend demokratik në botë, sepse lejon pa asnjë pasojë penale çdo akuzë pa fakte dhe shpifje që dëmton imazhin e personave publikë dhe politikë.

Gjithsesi ne do të ndjekim të gjithë hapat ligjorë deri në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut pasi në asnjë precedent të kësaj Gjykate nuk ka raste të ngjashme ku akuza të tilla të konsiderohen retorikë politike dhe të kalojnë pa pasoja për shpifësit.

Zjarr Tv Ad