Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas shkrimit të revistës prestigjioze ‘Forbes‘ e cila i bënte jehonë eksodit masiv të shqiptarëve sidomos vitet e fundit.
Meta thotë se për largimet e shqiptarëve, përgjegjësi kryesor ka një emër dhe ai është kryeministri i vendit Edi Rama. “Eksodi masiv i të rinjve tanë tërheq vëmendjen edhe të Forbes.
Shqiptarët po ikin, duke zënë vendin e tretë në botë për të larguarit nga vendi, sepse Edi Rama është armiku kryesor i lirive të tyre, autori dhe përgjegjësi i vrasjes së shpresës së të rinjve, në nivele aq dramatike sa po i detyrojnë të rrezikojnë edhe jetën duke kaluar La Manshin me gomone!”, thekson Meta.
Ish-Presidenti thekson se opozita është e angazhuar që Shqipëria të jetë vendi i të rinjve.
“Ne nuk duam që ky vend të braktiset, pasi çdo fëmijë që ikën nga Shqipëria le një brengë në familje.
Shqipëria u përket të rinjve dhe ne do ta bëjmë këtë realitet!”, mbyll postimin Meta.