Shkon në 5 numri i viktimave prej gripit, humb jetën fëmija 3 vjeç

0
697
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shkon në pesë numri i viktimave të prekur nga virusi i gripit stinor.

Viktima e fundit është një fëmijë i cili nuk i kishte mbushur ende 3 vjeç, i cili ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në spital.

Ministria e Shëndetësisë informon se vogëlushi B. Z., i lindur më 6 maj të vitit 2014, në Shënkoll të Lezhës, i vaksinuar rregullisht, ka patur prej një jave klinikë me temperaturë, ethe, kollë.

Pasi është paraqitur disa herë në urgjencën e spitalit Lezhë, djali i vogël më 14 janar, është shtruar në spitalin e Lezhës me diagnozën “Infeksion viral me insufiçiencë respiratore”, ku edhe pas trajtimit spitalor gjendja mbetej e njëjtë.

Më 15 janar, ai është transferuar në Tiranë dhe shtrohet në Reanimacionin e Shërbimit të Pediatrisë në QSUT, ku ka patur edhe shenja të tjera klinike si, mosreagim ndaj dhimbjes, hipotoni muskulare, gjendje prekome, vështirësi në frymëmarrje dhe frymëmarrje të zhurmshme.

MSh thotë se pacienti është konfirmuar me diagnozën: “Encephalomielit”.

Gjatë të njëjtës javë, familjarët me të cilët jeton, nëna, babai, gjyshja dhe gjyshi kanë kaluar sëmundje respiratore të ngjashme me gripin.

Mostrat e marra për ekzaminim nga ISHP-ja konfirmojnë që pacienti ishte i prekur nga virusi i gripit stinor A.

Edhe pas trajtimit në reanimacionin e Shërbimit të Pediatrisë në QSUT, vogëlushi ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm, e martë.

Ky është rasti i pestë i konfirmuar, pas dy rasteve të raportuara në 5 janar, atij të datës 11 janar dhe rastit të datës 13 janar nga Ministria Shëndetësisë për persona që kanë ndërruar jetë, të cilët, përveç sëmundjeve të tjera, kanë rezultuar të prekur edhe nga virusi i gripit të stinës A

Zjarr Tv Ad