Ekipet e shpëtimit në Indonezi vazhduan të kërkonin për të mbijetuar dhe viktima në rrënojat e ndërtesave të rrafshuara nga tërmeti. Deri më tani numri i viktimave ka arritur në 268.
Mbi 1 mijë persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa numri i të vdekurve nga tërmeti me magnitudë 5.6 ballë pritet të rritet.
Spitalet pranë epiqendrës së termetit, në rajonin e Javës Perëndimore ishin tejmbushur ndaj punonjësit e urgjencës u dhanë ndihmën e parë të plagosurve jashtë spitaleve, në barela dhe batanije apo edhe në tarraca dhe në parkingjet e qytetit Cianjur.
Indonezia goditet shpesh nga tërmete, madje shumë më të fortë se ai i së hënës.
Por ekspertët thanë se thellësia e tërmetit dhe infrastruktura e dobët shkaktuan dëme të mëdha, duke përfshirë rrënimin e çative dhe rënien e tullave dhe betonit.
Tërmeti kishte epiqendër rajonin Cianjur në perëndim të ishullit Java. Një grua tha se shtëpia e saj filloj të “tundej sikur po kërcente”.
“Po qaja, mora menjeherë fëmijët dhe bashkëshortin dhe dolëm”, tha Partinem, e cila si shumë indonezianë përdor vetëm një emër. Pak pasi gruaja dhe familja e saj dolën nga shtëpia, ajo u shemb.
Rajoni i Cianjurit ka 2.5 milionë banorë, 175 mijë prej të cilëve jetojnë në qytetin me të njëjtin emër.
Tërmeti gjithashtu shkaktoi panik në zonën më të madhe të Xhakartës, ku ndërtesat shumëkatëshe u lëkundën dhe njerëzit u evakuuan.
Kreu i Agjencisë Kombëtare për Kërkim dhe Shpëtim, Suharayanto tha se 1083 persona janë plagosur ndërsa 151 janë zhdukur.
“Shumë prej viktimave ishin studentë të shkollave publike që pasi kishin mbaruar mësimin po merrnin leksione shtesë në disa shkolla islamike të cilat u shembën”, tha Guvernatori i Javas Perëndimore, Ridwan Kamil.
Indonezia, vendi me më shumë se 270 milionë banorë goditet shpesh nga tërmete, shpërthime vullkanike dhe cunami për shkak të vendndodhjes së tij në “Unazën e Zjarrit”, që është një hark vullkanesh dhe pllakash tektonike në Pellgun e Paqësorit.
Në shkurt, një tërmet me magnitudë 6.2 shkaktoi të paktën 25 të vdekur dhe 460 të plagosur në provincën e Sumatrës Perëndimore. Në janar 2021, një tërmet me magnitudë 6.2 shkaktoi mbi 100 të vdekur dhe afro 6500 të plagosur në provincën e Sulawesit Perëndimor. Në vitin 2004, një tërmet i fuqishëm dhe cunami në Oqeanin Indian shkaktuan rreth 230.000 viktima në shumë vende, shumica e tyre në Indonezi.