Analisti amerikan Charles Kupchan thotë se gjendja e krijuar mes Kosovës dhe Serbisë është e serioze dhe ekziston rreziku për dhunë dhe bllokim të mëtejshëm. Studiuesi i Këshillit amerikan për Marrëdhënie me Jashtë i tha të martën Zërit të Amerikës se BE dhe SHBA kanë të drejtë që janë të shqetësuara por shtoi se trysnia duhet të mbahet ndaj të dyja palëve.
“Situata është mjaft e tensionuar tani, në kuptimin që jemi kemi arritur në një ngërç dhe qeveria e Kosovës ka rënë dakord për një shtyrje vetëm 48 orëshe dhe ekziston mundësia që të rikthehemi në një pikë ku ringjallet rreziku për dhunë”, tha ai duke iu referuar shtyrjes që qeveria e Kosovës pranoi për zbatimin e vendosjes së gjobave për targat e makinave në Veri, pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara.
Zoti Kupchan mendon se qëndrimet e të dyja palëve kanë merita.
“Nga njëra anë thotë ai, një ndryshim i status-quosë mund të trondisë një ekuilibër delikat dhe të krijojë kushte për dhunë. Nga ana tjetër, kryeministri Kurti ka të drejtë kur thotë se pala serbe duhet të angazhohet në një dialog të sinqertë për normalizimin. Unë mendoj se Kurti po e përdor çështjen e targave të makinave si një mënyrë për ta detyruar Serbinë që të merret me çështjet më madhore”, thotë zoti Kupchan.
Ai shton se se është e qartë që situata është e tensionuar dhe se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë të drejtë që janë të shqetësuara për pasojat e mundshme.
“Mendoj që SHBA dhe BE duhet ta mbajnë trysninë ndaj të dyja palëve dhe mesazhi ndaj Beogradit duhet të jetë që të angazhohet në një dialog të sinqertë me Kosovën për normalizim dhe rrjedhimisht njohje të saj. Nga ana tjetër mendoj se duke pasur parasysh mundësinë e dhunës, duke qenë se situata është e rrezikshme, trysnia ndaj Kosovës është e kuptueshme, meqenëse vazhdimi i planit për zbatimin e vendimit për targat e makinave, mund të trondisë status-quonë”, tha ai.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price tha të hënën në mbrëmje, pasi takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dështoi, se të dyja palët “duhet të bëjnë lëshime për të siguruar që të mos rrezikohen dekada të paqes së fituar me vështirësi në një rajon të brishtë”.
Zoti Kupchan bie dakord se bisedimet janë rruga më e mirë.
“Mendoj se rezultati më i mirë do të ishte që Beogradi të bjerë dakord të ulet në tryezë në drejtim të përparimit drejt një marrëveshjeje përfundimtare. Përndryshe do të jemi në një situatë të bllokuar”, tha ai./VOA