Shumëkush e di dhe ai vetë ndihet krenar që ka zgjedhur për bashkudhëtare jete Annën, vajzën që dashuron librat. Për marrëdhënien me të flet për herë të parë, edhe pse, jeta e tij tani që kërkon të sfidojë Erion Veliajn për Bashkinë e Tiranës do të kalojë në një “skaner” publik të paimagjinuar më parë. Anna, vajza e Ledi Shamkut dhe Artan Shkrelit, nuk mbetet më një “histori e mbyllur”.
Në një intervistë ekskluzive për Revistën Newsbomb.al, Belind Këlliçi ka treguar shumë për jetën e tij, përfshirjen në politikë, garën në primaret e PD për Tiranën, ku ai shihet si kandidati më i mundshëm përballë Erion Veliajt, dhe padyshim për jetën e tij private, lidhjen me Anna Shkrelin.
Atë e ka shoqëruar shpesh pyetja: Ç’bën një demokrat tipik si ai me një vajzë që njërin prej prindërve e ka pasur deputete të PS-së e gjuhëtare dhe tjetrin, një ndër arkitektët më kontemporanë në vend, angazhuar po ashtu në qeverisjen e majtë?! Në fakt, kjo është një pyetje që i përket një mentaliteti komunist, që nuk e njeh as ndjenjën e as njeriun e lirë që dashuron atë kë i do zemra.
“Në një marrëdhënie personale, çdo i ri gjykon me ndjenjë me zemër. Anna, është një nga krenaritë e mia më të mëdha, të cilën unë nuk e kam fshehur kurrë. Anna është etiketuar dhe i është rënë në qafë pa të drejtë për shkak të angazhimit të prindërve të saj, por ajo vetë është shumë e distancuar nga jeta politike, është në botën e publikimeve, librave. Ka një shtëpi publikimesh që e ka themeluar vetë. Shtëpinë ku ka lindur gjyshja e saj, një shtëpi tradicionale tiranase, ka refuzuar ta japë për një pallat shumëkatësh në zemër të Tiranës, në njësinë 10, aty ku dhe unë jam lindur e jam rritur dhe ka vendosur ta kthejë në një hapësirë novacioni, dhe ku promovohen shumë edhe vlerat feministe, sepse është shumë femiste, dhe ku bëhet kulturë!”