Shpëtim Gjika sërish në PS, Rama e rikthen si koordinator politik

0
993
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shpëtim Gjika rikthehet në Partinë Socialiste me një detyrë të rëndësishme politike. Pas disa takimeve konsultuese me kryetarin e partisë, Edi Rama dhe drejtuesin politik të qarkut Vlorë, Damian Gjiknuri, Gjikës i është besuar detyra e koordinatorit politik për një nga strukturat më të rëndësishme në këtë rreth, Bashkinë e Selenicës dhe zonën e Lumit të Vlorës.

Ai do të punojë në këtë zonë me deputetin aktual Fatmir Toçi për forcimin e kapaciteteve drejt zgjedhjeve të 18 qershorit. Lidhja e Gjikës me këtë zonë është e fortë për shkak edhe të origjinës së tij prej andej. Ky vendim përbën kthesën e fortë të marrëdhënieve të ish-kryetarit të Vlorës prej 12 vjetësh.

Shenja se marrëdhëniet mes tij dhe Edi Ramës po zbuteshin, ishin dhënë nga kryetari i partisë që prej kohës kur Koço Kokëdhima u “divorcua” nga Partia Socialiste. Marrëdhëniet mes tyre ishin prishur në shkurt të vitit 2015, ku disa muaj para se të përfundonte mandati, Gjika u arrestua për shpërdorim detyre me lejet e ndërtimit.

Rama tha në një deklaratë publike se Gjikën e kishte mik, por nuk mund ta amnistonte. Gjika nuk u kandidua më për shkak të këtij procesi gjykimi nga i cili u shpall i pafajshëm më pas. Rikthimi i tij forcon pozitat e një kandidimi të mundshëm të Gjikës në listat e këtij qarku, ku Rama është shprehur se do ta kryesojë vetë garën përsëri.

Reagimet

“Duke filluar nga sot, jam me status të ri! Faleminderit të gjithë atyre që kanë besuar tek unë, dhe më kanë përkrahur e mbështetur në ditë të vështira!”. Ky ishte shënimi i shkurtër i Shpëtim Gjikës mbrëmjen e djeshme në rrjetin social Facebook.

Pavarësisht urimeve dhe këmbënguljes kureshtare të ndjekësve të tij se çfarë statusi kishte marrë, ish-kryebashkiaku që drejtoi Vlorën për 12 vjet nuk ka pranuar të japë detaje. Megjithëkëtë, pak kohë më parë, kur mendohej një bashkim i mundshëm i Gjikës me Partinë Agrare të Agron Dukës, Fatmir Toçi shkruante në Facebook se Gjika ngelej një socialist dhe si i tillë nuk kishte vend në familje tjetër politike.

“Askush nuk mund ta thotë se Shpëtim Gjika nuk është i majtë, që nuk është socialist, që nuk është atdhetar me rrënjë e me degë e që vjen nga një familje e madhe labe me figura të njohura kombëtarisht e me tradita të hershme. Askush nuk mund të harrojë, aq më tepër të mohojë, mbështetjen e tij në luftën e madhe opozitare dhe revoltat popullore para viteve 2013. Askush nuk mund të harrojë kontributin e spikatur të tij në kremtimin e 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ku Vlora u bë epiqendra e vendit, nderi dhe krenaria e gjithë shqiptarëve kudo që ishin….

Shpëtim Gjikën nuk e lidh asgjë me të djathtën. Vendi i tij është atje ku ka qenë që në zanafillën e tij politike, te e majta e progresit dhe e zhvillimit, te familja e madhe e socialistëve, pavarësisht se si do të jetë, në rolin e kryetarit, drejtuesit politik, anëtarit të thjeshtë apo simpatizantit të kësaj familjeje të madhe”, thoshte ndër të tjera Fatmir Toçi.

Zjarr Tv Ad