Në një intervistë për “Fax News”, avokati Kujtim Cakrani tha sot i indinjuar se në Vlorë, aty ku mblidhen njerëzit për të kremtuar 28 nëntorin nuk ka më një shesh Flamuri.
Cakrani akuzoi kryeministrin e vendit Edi Rama se po deformon historinë jo vetëm të këtij qyteti por të gjithë kombit, duke u përpjekur të paraqesë selinë e partisë si “shtëpinë e pavarësisë”. Ai tha ndër të tjera se në vendin ku duhet të ishte shtëpia ku u shpall pavarësia janë kryer pazare ekonomike, pasi Rama sipas tij do të zhdukë historinë dhe gjithçka të nisë me të.
“Historia sidomos e qytetit të Vlorës po transformohet dhe kjo ka një prapavijë politike. Vendi ku është çuar sheshi i Flamurit është ndryshe selia e partisë, kështu e quajnë qytetarët. E paraqesin selinë e qeverisë sikur është shtëpia e Pavarësisë.
Pikërisht këtu ka qenë shtëpia e Xhelil Bej Vlorës, 3 katëshe, e madhe, ku është shpallur pavarësia dhe ajo aktualisht nuk ekziston më. Gjendet dhe varri i Ismail Bej Vlorës dhe ca pemë, kjo për arsye se në vitet ’30 u shemb dhe ngeli një lulishte që ka ekzistuar për rreth 90 vjet. Nëse do të bëjë parkun e Pavarësisë duhet të ndërtonte këtë shtëpi.
Ky është një shqetësim kombëtar, kryeministri me rrugaçërinë e tij po transformon historinë e vendit. Ka shkatërruar sheshin e Flamurit, që është simbol jo vetëm i vlonjatëve por i gjithë shqiptarëve. Aktualisht nuk kemi më shesh Flamuri, ka hequr 4 topat e 4 vilajeteve. Për ta justifikuar e ka zhvendosur te ai që e quan “Parku i Pavarësisë”.
Qëllimi i tij ka një prapavijë politike, si njeri egoist që është mendon që historia të nisë prej tij, kjo është një tradhëti kombëtare. Vetëm talebanët e bëjnë këtë, s’ka më shesh Flamuri. Këtu quhet Terminal i Autobusëve, në shërbim të këtij pallatit 15-katësh. Jo vetëm masakër historike por edhe pazare ekonomike, ky kryeministër nuk la gjë pa shitur. 40 firmëtarët e pavarësisë sot janë pa varr, ky kryeministër sharlatan nuk ka gjetur 100 metër katror për baballarët e kombit. Është kollaj të bësh shqiponjën dhe të mblidhesh në parlament.”, tha Cakrani.