Në nderim të 28 nëntorit, kryedatës së historisë së kombit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK), kanë prezantuar në Prekaz ekspozitën “Të ndarë, por të pashkëputur”. 🇦🇱🇽🇰
Materialet dokumentare dhe fotografike që ilustojnë rrugëtimin e mundimshëm drejt lirisë dhe kontributin e paçmueshëm të figurave me rol qendror në shtetformim, u paraqitën në ambientet përreth Kompleksit Memorial “Adem Jashari”. Të pranishëm në aktivitet ishin kreu i DPA-së, Ardit Bido, homologu i tij, Bedri Zyberaj, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja, Emilja Rexhepi, ministri i Financave, Hekuran Murati, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrulla Çeliku, nënkryetari i Kuvendit dhe i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, parlamentarë dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar.
Në fjalën e tij për mediat, Bido theksoi se bashkëpunimet e këtyre përmasave përkojnë me vizionin e kësaj date historike për një Shqipëri të bashkuar dhe të begatë. ”Po festojmë 28 nëntorin në Prekaz, siç do ta festonim në çdo trevë shqiptare. 28 nëntori ka qenë nga Preveza në Nish, ashtu siç u mblodhën delegatët.
Është 28 nëntori i Skënderbeut, i UÇK-së, është një ditë madhore e kombit tonë. Kjo ekspozitë u prezantua për herë të parë dje me rastin e mbledhjes së përbashkët të kuvendeve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Nëse do ta kapsulonim vizionin e kësaj date historike, shqiptarët duhet të formonin një shtet të përbashkët e të begatë. Këtë po bëjmë edhe sot duke respektuar realitetin. Edhe të ndarë në 5 shtete, jemi një komb. Që kjo Shqipëri të jetë e bashkuar në të gjithë elementët që përbëjnë identitetin kombëtar, të bashkuar në një ombrellë për mirëqenie, begati e krenari kombëtare. Këtë e shohim edhe përmes kësaj ekspozite me dokumente dhe fotografi.”- tha Bido.
Zyberaj vlerësoi bashkëpunimin e vijueshëm me DPA-në dhe risolli në vëmendje etapat kulmore që i paraprinë dhe që pasuan shpalljen e Pavarësisë, të cilat dëshmohen përmes ekspozitës së paraqitur. “Edhe pse të ndarë, kemi patur lidhjet tona të përbashkëta, që kanë ushqyer indin kombëtar. Pas Krujës dhe Vlorës, Prekazi është një tjetër vend i shenjtë për shqiptarët. Në ekspozitë janë në fokus foto të firmëtarëve, deklarata e Pavarësisë, por kemi shkuar edhe më tej me veprën e rilindasve, me kryengritjet që i paraprinë Pavarësisë, me përvjetore të kësaj ndodhie etj.”- u shpreh Zyberaj.
Sikurse ndodh periodikisht në datat me rëndësi kombëtare, funksionarët politikë kryen së pari homazhe në nder të të rënëve në luftë të familjes Jashari. Ekspozita do të qendrojë e hapur për publikun përgjatë gjithë ditës së sotme.