Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se Samiti BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor, do t’i japë goditjen finale projektit të Ballkanit të Hapur.
Gjatë një bashkëbisedimi me banorë të njësisë nr.5 në kryeqytet, Berisha u shpreh se ky projekt mbështetet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, por edhe nga Xhorxh Soros e djali i tij.
“Momenti është i tillë, pasi në datën 6 dhjetor, mblidhen këtu në Tiranë të gjithë liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në një samit të përbashkët. Dhe ky është një nder i papërsëritshëm për Shqipërinë dhe një përzgjedhje gjeo-strategjike e një rëndësie historike me të cilin Europa Perëndimore i thotë Vladimir Putinit dhe të tjerëve, se Shqipëria është territori ynë dhe harroni se mund të keni ambicie të tjera.
Në këtë mënyrë, ky samit në rrafshin strategjik është në interes madhor për shqiptarët dhe i jep një goditje fatale, për të mos thënë përfundimtare projektit të Aleksandër Vuçiç, Edi Ramës dhe vasalit të tij tjetër në Shkup, projekt i Ballkanit të Hapur, i mbështetur haptas nga Lavrov, por duhet të jemi të hapur e të themi të vërtetën, jo më pak nga Xhorxh Soros dhe pasaardhësi i tij, Aleksis që merr pjesë në çdo samit të kësaj nisme, ruso-serbe. Edhe në këtë kontekst, samiti është shumë i mirëpritur”, theksoi kryedemokrati.