Këshilltari i DASH vjen në Ballkan, viziton të gjitha vendet e rajonit, por jo Shqipërinë

0
46
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet do të udhëtojë në Kosovë, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Kroaci dhe Belgjikë me një delegacion ndërinstitucional nga data 11-17 dhjetor.

Dhe kjo vizitë, siç theksohet në një njoftim të Departamentit të Shtetit, nënvizon përkushtimin e qëndrueshëm të SHBA-së për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.

Por ajo që vihet re në njoftimin e DASH është se në axhendën e zyrtarit të lartë nuk përmendet Shqipëria, duke e anashkaluar kështu një vizitë në vendin tonë.

“Më 12-13 dhjetor, këshilltari Chollet do të udhëtojë në Prishtinë, Kosovë, ku do të takohet me zyrtarë qeveritarë dhe liderë të tjerë politikë për të diskutuar bashkëpunimin e vazhdueshëm për një sërë çështjesh, duke përfshirë përpjekjet e SHBA-së për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike, duke përfshirë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen reciproke”, thuhet në fillim të njoftimit.

Më 13 dhjetor, këshilltari Chollet do të vazhdojë në Beograd, Serbi, ku do të diskutojë rreth sigurisë energjetike, integrimit ekonomik rajonal dhe përparimit drejt objektivit të Serbisë për anëtarësim në BE me udhëheqjen e qeverisë serbe.

“Ai do të diskutojë gjithashtu rolin e Serbisë në forcimin e paqes dhe sigurisë rajonale dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm me dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të arritur normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Kosovën”.

Ndërsa më 14 dhjetor, këshilltari Chollet do të udhëtojë në Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë për t’u takuar me përfaqësues të institucioneve qeveritare të BeH për të diskutuar mbi sundimin e ligjit, reformat ekonomike, energjetike dhe të mbrojtjes, si dhe me zyrtarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimeve të tjera të rënda.

Ai do të udhëtojë gjithashtu në Shkup, Maqedoni e Veriut ku do të takohet me liderët e qeverisë për diskutime mbi një sërë çështjesh, duke përfshirë energjinë, ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit.

Veç këtyre, më 15 dhjetor, këshilltari Chollet do të udhëtojë në Podgoricë, Mal të Zi – për t’u takuar me udhëheqësit e qeverisë dhe shoqërinë civile për të diskutuar ngërçin aktual politik, angazhimin e përbashkët për sigurinë rajonale dhe përparimin e vazhdueshëm të Malit të Zi drejt integrimit euro-atlantik.

“Në Zagreb, Kroaci, Këshilltari do të takohet me zyrtarë qeveritarë për të diskutuar bashkëpunimin në mbrojtje, sigurinë energjetike evropiane, si dhe prosperitetin ekonomik dhe sigurinë në rajon, dhe ai do të finalizojë traktatet e ndihmës juridike të ndërsjellë dhe ekstradimit të Kroacisë me Shtetet e Bashkuara”, thuhet më tej në njoftimin e Departamentit të Shtetit.

Në fund të njoftimit thuhet se më pas, këshilltari i Departamentit të Shtetit do të udhëtojë në Bruksel, nga 16-17 dhjetor për të diskutuar bashkëpunimin me partnerët evropianë dhe aleatët për një sërë çështjesh globale, duke përfshirë mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, rrugën e anëtarësimit në BE dhe integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sigurinë energjetike, si dhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zjarr Tv Ad