Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i cili kohët e fundit ishte afruar me Rithemelimin të paktën nëpërmjet deklaratave të tij, duket se “e ka dredhur” prapë që nga pozicionimi që morri, pas zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marstit të vitit të shkuar.
Gjatë një analize në Euronews Albania për situatën brenda PD-së ai deklaroi, se Sali Berisha po lufton për interesa e tij personale e jo për partinë.
Gjithmonë duke folur për synimet e vërteta të Berishës në aksionin e tij politik, deputeti Salianji tha se kreu i Rithemelimit të PD-së kërkon që të tregojë se ka peshë politike, por sipas tij ai po dëmton thellësisht interesat e partisë por edhe të opozitës në tërësi.
“PD nuk e mban të përçarë vula apo sigla, ka një ndarje për interesa personale në PD. Çështja e gjyqit është një sebep të cilin e mban peng Edi Rama. Është e dukshme që drejtësinë e ka në dorë Edi Rama. Berisha kërkon që të bëjë një parti të vogël dhe ta ketë aty me disa njerëz që të vij rrotull. Kemi një interes personal që prevalon që do të tregojë që edhe unë jam këtu për të treguar se ka peshe politike duke i dëmtuar thellësisht interesat jo vetëm të PD-së, por edhe të opozitës në tërësi”, tha ai.