Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, akuzoi qeverinë Rama në lidhje me përfshirjen në skenën korruptive të inceneratorëve.
Gjatë fjalës në parlament, Bylykbashi, tha se afera e inceneratorëve është një skemë korruptive të cilën në Itali e bën mafia, ndërkohë që në Shqipëri sipas tij e bën qeveria.
Ai i bëri apel SPAK-ut që të ndjekë paranë për të zbuluar ideatorët dhe pronarët e kësaj skeme korruptive.
“Është shumë e vështirë për shqiptarët që të mos kuptojnë se çfarë ndodh me këtë historinë e inceneratorëve. Sa më takon mua mu drejtove dhe po të kthej përgjigje. Është shumë e vështirë për çdo shqiptar me nivel mesatar që mos ta kuptojë se çarë ndodh me skemën e inceneratorëve.
Në Itali këtë e bën mafia por e lufton qeveria, këtu e bën vetë qeveria. Ne këtë provë nuk ia çojmë dhe nuk kemi për detyrë të bëjmë detyrën e SPAK-ut.
Por SPAK-u të bëjë një gjë vetëm, të ndjekë paranë dhe dihet se ku do t’i çojë”, tha Bylykbashi.