Veriu i Kosovës çlirohet nga barrikadat. Për BE fitoi diplomacia, Kurti: U lodhën ata që bllokuan veten

0
25
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Veriu i Kosovës është çliruar nga barrikadat që bllokuan rrugët për 20 ditë. Ky është momenti kur largohet dhe kamioni i fundit nga fshati Rudarë, në Zveçan. Dy persona të maskuar rikthyen bateritë e hequra dhe lëvizën mjetet e tonazhit të rëndë.

Edhe nga ana tjetër, në territorin e Serbisë, barrikadat janë hequr dhe tashmë mundësohet qarkullimi i lirë për në pikat kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut. Më herët, ekipi i A2 CNN dëshmoi një skenë të ngjashme edhe në lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicën e Veriut, që banohet kryesisht nga shqiptarë.

Pengesa e parë që u hoq nga rrugët e Kosovës ishte ajo në Merdarë, duke bërë që kjo pikë kufitare t’i rikthehej normalitetit. Vendimi për zhbllokimin e rrugëve në veri të Kosovës erdhi pas ndërmjetësimit nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, që këshilloi heqjen e barrikadave, tha se ka marrë garanci të forta ndërkombëtare për kërkesat e serbëve të Kosovës, përfshirë mosarrestimin e atyre që i vendosën.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagoi për zhbllokimin e rrugëve duke thënë se serbët në veri i vendosën vetë barrikadat dhe vetë po i heqin. “Janë lodhur ata të cilët e bllokuan veten”, u shpreh ai.

Një reagim ka ardhur dhe nga Bashkimi Europian, me shefin për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, që thotë se diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve mes palëve. “Dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje. Mirësevini në lidershipin e përgjegjshëm të Presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Kurti”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Zhbllokimi i rrugëve u përshëndet edhe nga KFOR. Barrikadat nisën të vendoseshin në veri të Kosovës më 10 dhjetor, pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiç, që akuzohet për terrorizëm për shkak të një sulmi me armë ndaj zyrtarëve të KQZ në Mitrovicë.

Zjarr Tv Ad