Ardhja e vitit 2023 solli përfshirjen e Kroacisë në zonën Shengen dhe bashkimin e saj me monedhën e përbashkët Euro.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përshëndeti arritjet duke i cilësuar si të jashtëzakonshme.
Duke folur nga pika kufitare në qytetin e Breganës, e shoqëruar nga kryeministri kroat Andrej Plenkoviç dhe presidentja sllovene, von der Leyen tha se kjo është një ditë feste, jo vetëm për kroatët por për të gjithë evropianët.
“Kjo është mbi të gjitha një ditë gëzimi dhe krenarie për popullin kroat. Është dëshmi e rrugëtimit tuaj të jashtëzakonshëm, punës suaj të madhe dhe vendosmërisë tuaj. Është një ditë feste jo vetëm për kroatët, por për të gjithë shtetasit evropianë. Nga ky moment, kufijtë ndërkombëtarë mund të kalohen lirisht pa kontroll”,
tha Von der Leyen
“Asgjë nuk është e njëjtë pas kësaj,” tha Plenkoviç, duke vënë në dukje komoditetin që do të sjellë për kroatët lëvizja e lirë dhe bashkimi me monedhën evropiane.
Presidentja e Komisionit Evropian vlerësoi punën e popullit kroat dhe veçoi Plenkoviçin për reformat e nevojshme për bashkimin e shpejtë në klubin e monedhës së Bashkimit Evropian.
Ajo tha se euro “sjell stabilitet dhe besueshmëri makroekonomike” brenda dhe jashtë vendit.