Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka dalë nga ambientet e SPAK, pasi u thirrë për t’u njohur me akuzat e ngritura ndaj tij.
Në hyrje të ambienteve të SPAK, ai ka dhënë edhe një intervistë për mediat, ku ka thënë se akuzat e ngritura ndaj tij janë të motivuara politikisht.
Ai shtoi se është i pafajshëm dhe nuk ka pasur asnjë kontakt personal me bizneset që merreshin me demontimin e armëve, që sipas tij ishte pjesë e sigurisë kombëtare.
“Dua të bëj me dije që më është prezantuar e njëjta akuzë më të njëjtët prokurorë. Mu komunikua shpërdorim detyre, por po ua them që kam kërkuar që në fillim të them dhe asnjëherë nuk jam pyetur. Motivimi politik është në akuzën që është bërë. Nuk është urdhëri i ministrit që ka shkaktuar problemin. Nëse ministri nuk këshillohet me VKM-në dhe drejtuesit ushtarakë, nuk është ministër.
Ajo që mu paraqit është fashikulli i firmosur nga prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme. Çështja e demontimit të armëve është çështje e sigurisë kombëtare. Unë jam i pafajshëm. Unë thash që jo vetëm që nuk e pranoj akuzën, por të paktën duhet të jem një person që të pyetem për veprimet e mia. Nëse ka ndonjë kontakt timin ose familjen time me biznesmenët që kishin marrë në dorëzim demontimin e armëve, unë marr çdo përgjegjësi”, është shprehur Mediu.