Gazetari dhe eksperti i ekonomisë, Gjergj Erebara, është shprehur se Rruga e Arbrit që është hapur deri më tani është si një rrugë dhish që nuk ka standartet e duhura.
Komentet ai i bëri gjatë fjalës së tij në emisionin “Open” në News 24, ku tha se në Rrugën e Arbrit nuk punohet dhe prokurorët janë qorra që nuk e shikojnë që pala që ka marrë përsipër ndërtimin, nuk e zbaton projektin.
Gjatë bisedës në studio, Erebara i ndalur tek rruga e Arbrit, tha se problem është fakti se nuk punohet dhe se rruga e hapur sipas tij është një rrugë që nuk kryen asnjë funksion.
“Problemi kryesor është se aty nuk punohet, ne paguajmë para rregullisht por produkt nuk kemi. Rruga e hapur deri tani është rrugë dhish. Ne paguajmë para, por rrugën nuk e kemi. Ne nuk mund ë vijojmë të japim para për një rrugë që nuk ekziston. Edhe një segment tjetër nga Klosi deri në Bulqizë nuk punohet. Aktualisht kemi një rrugë dhish, në majë të malit, panoramike por që nuk funksionon. Prokurorët janë qorra që nuk e shohin se është një kontratë që ka dy palë një palë nuk e zbaton dhe pala tjetër që është taksapaguesi paguan. Sa i përket rrugës Kardhiq-Delvinë, gjurmët e korrupsionin janë në të gjitha anët, ndërsa prokuroria bën sikur nuk sheh që tenderat për lotët 6 ishin korruptiv. Është e pamundur që tre kompani të hyjnë në garë për një rrugë dhe ofertat të jenë pranë fondit limit dhe po të shohësh të shtesat e fondeve, në këtë projekt, logjika ta do që në një rast të jetë 5 %, një 15%, por në të gjitha rastet është deri diku 16-17%”, tha Erebara.
Nga ana e tij Pano Soko tha se të gjitha kontratat koncensionare kanë qenë problematike dhe se sipas tij është një formë që duhet përjashtuar.
“Edhe në momentin kur koncensioni e zëmë se nuk ka vjedhje, është forma më e kushtueshme e të bërit rrugë. Ne paguajmë…teoria që tha kryeministri do t’i bëjmë me konencesion se nuk kemi lekë dhe kur të fillojë prodhimi ekonomisë do t’i paguajmë, doli e gabuar. Jo, ne paguajmë dy herë interesa. Edhe sikur të mos ketë fare abuzim kjo formë është e përjashtueshme. PPP krijojnë kosto. Të gjitha kontratat koncensionare tek kanë qenë të gjitha të stërfryra”, tha Pano Soko.
“Qukës Qafë Plloqë është një tjetër rast që është me kredi. Kredia është marrë prej 10 vitesh, ne rrugën nuk e kemi. Koston e kemi dhe përfitimin që duhet të kemi nga investimi nuk e kemi”, shtoi Erebara.