Milaim Zeka denoncoi në Çim Peka Live një rrjet mashtruesish të cilët falsifikojnë vulat e FBI dhe CIA-s amerikane dhe shantazhonin biznesmenë dhe politikanë.
Zeka tha se pjesë e këtij rrjeti është edhe Agron Neza, sekseri i punëve të zeza të Edi Ramës, i cili korruptoi agjentin e FBI, Charles McGonigal.
Milaim Zeka përmendi edhe një person me emrin Faik Imeri i cili njihet ndryshe si “Florjani” në Bruksel në krye të rrjetit të mashtruesve, të cilët kishin arritur deri aty sa i kishin kërkuar 100 mln dollarë presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.
Gazetari dhe analisti i njohur tregoi edhe se si e zbuloi këtë rrjet.
“Unë e kam pyetur zotin Neza, m.q.s më është prezantuar si person i FBI, më ka prezantuar edhe McGonigal. E kam pyetur kush është ky njeri në Bruksel që paraqitet me pseudonimin “Florjani” që po mashtron dhjetëra njerëz në emër të CIA-s amerikane. Unë i kam dërguar një foto të këtij personi zotit Neza. Brenda disa minutave foto ka arritur te Faik Imeraj në Bruksel. Unë këtu e kam zbuluar rrjetin. I vetmi njeri në këtë botë që kam fotografuar personin në Bruksel, kam qenë unë. Personi që e dërgoi fotografinë ka qenë Agron Neza. Agron Neza këtu ka rënë në kurth. Personi në Bruksel, sipas shërbimit informativ të Kosovës, ndërkombëtare dhe amerikane, ky “Florjani” (Faik Imeraj) ka qenë i rekrutuar nga BIA serbe”, u shpreh ai.
“Ky grup ka falsifikuar një dosje ku më nxjerr mua si agjent të shërbimit sekret jugosllav me nofkën “Novinari” (gazetari). Ky grup më ka shantazhuar familjaërisht. Më kanë gjobitur 320 mijë euro gjoja për të mos i publikuar dosjet rreth meje. I kanë kërkuar grupit Devolli 10 mln euro. I kanë kërkuar presidentit të Malit të Zi 100 mln dollarë. Kam incizime, video, audio, kam SMS”.