Pak ditë më parë në media ka qarkulluar lajmi mbi zhgënjimin e sopranos shqiptare të skenave të mëdha botërore.
“Ermonela Jaho erdhi këtë radhë në Tiranë me dëshirën e madhe t`u përcjellë të rinjve eksperiencën e saj. Por në Teatrin e Operës, ku ishte ofruar të bënte mësimin e hapur, pak veta gjeti në sallë”- shkruhej në mediat sociale.
Një reagim ka ardhur nga artistja e mirënjohur Merita Rexha Tërshana, e cila është dekane në Fakultetin e Muzikës në Universitetin e Arteve.
Në llogarinë e saj ajo shprehet:
‘Të dashur miq, këtë javë kam qenë për masterclass në Kristiansand në Norvegji. Kur kam patur kohë të futem në rrjetet sociale kam ndjekur me shqetësim debatin mbi mungesën e studentëve në masterclass-im e zhvilluar nga soprano e madhe Ermonela Jaho.
Në Norvegji unë kisha javë përpara se të shkoja listën e studentëve që do merrnin pjesë, programin dhe orën e saktë kur do paraqiteshin, nr e studios dhe çdo detaj tjetër nga organizatorët e masterclass-it, që ishte Universiteti i Agderit.
Si një nga drejtueset e Fakultetit të Muzikës ju them me bindje që asnjë email njoftues, asnjë telefonatë, asnjë ftesë për bashkëpunim nuk ka ardhur në Fakultetin tonë. Asnjë.
Si mund të mjaftoheni që në Tiranë janë varur postera? Organizimi bëhet në mënyrë institucionale.
Ne krenohemi me Ermonelën, kemi shumë respekt dhe vlersim për të dhe për çdo artist shqiptar kudo në botë! Jam e sigurtë që askush nga kolegët e mi nuk i ka “ndaluar” studentët të shkojnë, dhe e di që studentë nga shkolla jonë ka pasur në masterclass.
E gjithë kjo zhurmë më duket një keqkuptim i madh. Problemet në organizim nuk mund të mbulohen duke drejtuar gishtin ndaj pedagogëve të Fakultetit të Muzikës që bëjnë çdo ditë një punë të respektueshme për të pregatitur artistët e ardhshëm të skenës shqiptare dhe më gjerë.
Ermonela dhe çdo artist tjetër i ka patur dhe i ka dyert e hapura në shkollën tonë, do ishim shumë mirënjohës të vinin dhe të jepnin përvojën e tyre për studentët e shkollës!’